Tiranë, 21 shtator Zhurnal.mk – Në emisionin “3 D” me Alban Dudushin, gazetarja Denada Kola ka komentuar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nismën e re të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e ligjit mbi Gjykatën Speciale.
Duke komentuar këtë zhvillim, Kola theksoi se është gabim të ndahet vendimi për krerët e UÇK-së nga historia e vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi sipas saj, veprimtaria e komandantëve ka qenë e pandashme nga rruga e UÇK-së.
“Është gabim që vendimi për krerët e UÇK-së të ndahet nga lufta e UÇK-së. Në gjykimin tim, në atë parashtrim të gjatë të kryegjyqtarit Smith, ajo vetëm e ndarë nuk është. Vërtet e nisi gjykimin e tij duke thënë se nuk është duke u gjykuar as pavarësia dhe as roli i UÇK-së, por i gjithë parashtrimi tregon të kundërtën e kësaj gjëje.”
Gazetarja shtoi se, duke iu referuar seancave publike ku ka qenë e pranishme, vihet re se linja komanduese e UÇK-së ka qenë pjesë e mënyrës sesi prokuroria ka marrë dëshmitarët në pyetje dhe ka qenë e pranishme në gjithë procesin gjyqësor.
“Duke iu referuar gjithmonë seancave publike ku kam qenë prezente, mund të them që vija komanduese ka qenë mënyra sesi prokuroria ka marrë dëshmitarët në pyetje dhe kanë qenë pjesë e gjithë procesit.”
