Patricio Ferrari, prokurori në gjyqin për çështjen “Maradona”, ka kërkuar një dënim me 12 vite burg për të pandehurin kryesor, neurokirurgun Leopoldo Luque, i cili drejtonte ekipin mjekësor përgjegjës për shëndetin e ish-kampionit botëror argjentinas – i cili ndërroi jetë më 20 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare shkrua tgcom24.it.
Prokurori pretendon se neurokirurgu që trajtonte Maradonën mban përgjegjësi për vrasje me ”dolus eventualis” (neglizhencë e rëndë dhe moskokëçarje ndaj pasojave), një vepër penale që rëndohet nga statusi i tij si mjek dhe nga miqësia personale me pacientin.
Ky është dënimi më i rëndë i kërkuar nga prokurori, i cili kërkoi tetë vite burg për Nancy Forlini-n – koordinatore e kompanisë së sigurimeve shëndetësore “Swiss Medical” – dhe për psikiatren Agustina Cosachov, të dyja të akuzuara për vrasje të thjeshtë.
Për psikologun Carlos Díaz u kërkuan pesë vite burg, ndërsa për infermierin Ricardo Almirón dhe mbikëqyrësin e tij, Mariano Perroni, u kërkuan nga katër vite për secilin; të gjithë këta u konsideruan fajtorë për vrasje nga pakujdesia.
Në të kundërt, prokurori kërkoi pafajësinë për mjekun Pedro Di Spagna, duke e përshkruar atë si “i vetmi që bëri atë që duhej të bënte dhe që nuk kishte asnjë autoritet vendimmarrës lidhur me kushtet e kujdesit për viktimën”.
Prokuroria vërtetoi, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, ekzistencën e një strukture kaotike, të karakterizuar nga një çorganizim total.
Ky grup ”amatorësh” sipas prokurorisë drejtohej nga Leopoldo Luque.
Në periudhën midis 11 dhe 20 nëntorit 2020, ky grup personash shkeli të gjitha detyrimet që kishte marrë përsipër, duke e lënë Maradonën në mëshirë të fatit.
Maradona ishte klinikisht një ”bombë me sahat”.
Ata e larguan atë dhe e çuan në atë shtëpi ku, 14 ditë më vonë, ai ndërroi jetë. Aty nuk kishte doreza, garza, sisteme infuzioni, pajisje të ndihmës së shpejtë, defibrilatorë, ambulanca apo asgjë tjetër që kishin premtuar.
Ishte një boshllëk total; shtëpia nuk kishte asgjë. Ishte një situatë që u zhvillua përgjatë disa ditëve.
Komisioni mjekësor ndërdisiplinor arriti në përfundimin se Maradona nuk ishte një njeri i shëndetshëm që vdiq papritur, por një pacient me një gjendje shëndetësore tejet komplekse.
Një nga përfundimet ishte se vdekja mund të ishte parandaluar dhe se kujdesi mjekësor kishte qenë i pamjaftueshëm.
Prokurori foli për një “grup amatorësh të cilët, në çdo hap, harronin se kishin të bënin me një pacient vulnerabël dhe me një gjendje komplekse”.
