Tiranë, 05 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori pjesë në ekspozitën “Fletorja Zyrtare – Kujtesë juridike për publikun dhe shtetin shqiptar”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve Zyrtare.
Në fjalën e tij, ministri u ndal te roli historik dhe aktual i Fletores Zyrtare si instrument i transparencës dhe sigurisë juridike, duke theksuar se historia e saj është e lidhur ngushtë me vetë procesin e ndërtimit të shtetit shqiptar.
“Për qytetarin, ligji fillon të ekzistojë në momentin kur ai mund ta njohë, ta lexojë dhe t’i mbështetet atij. Prandaj mund të themi se aksesi në drejtësi fillon me aksesin në ligj”, u shpreh ministri.
Duke iu referuar dokumenteve historike të ekspozuara, nga procesverbalet e viteve të para të shtetit shqiptar deri te botimet e para të Fletores Zyrtare, ai nënvizoi se ndërtimi i shtetit nuk lidhet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe me bërjen e tyre të njohura për qytetarët.
Ministri vlerësoi gjithashtu punën e Qendrës së Botimeve Zyrtare për modernizimin e aksesit në legjislacion dhe theksoi rëndësinë e përafrimit me standardet europiane në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
