Xi në Korenë e Veriut për herë të parë pas shtatë vitesh

Nga D. V.
619 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pekin, 05 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të zhvillojë javën e ardhshme një takim me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një vizite në Korenë e Veriut, e para e tij në pothuajse shtatë vjet, njoftuan mediet shtetërore të të dy vendeve, sipas BBC.

Xi do të qëndrojë në Korenë e Veriut më 8-9 qershor me ftesë të Kim Jong Un.

Vizita e tij e fundit në kryeqytetin Phenian, ishte në vitin 2019.

Vizita zhvillohet vetëm pak javë, pasi Xi priti në Pekin presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin, dy liderë që luajnë rol të rëndësishëm në politikën e jashtme të Koresë së Veriut.

Kina mbetet vendi partner kryesor ekonomik dhe politik i Koresë së Veriut, e cila përballet me sanksione të gjera ndërkombëtare, për shkak të programit të saj bërthamor dhe akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut.

Dy vendet ndajnë një kufi prej rreth 1,400 kilometrash dhe janë të lidhura me një traktat mbrojtës, i vetmi i këtij lloji që Kina ka me një shtet tjetër.

Marrëveshja garanton mbështetje të ndërsjellë në rast se njëra palë sulmohet.

Këtë vit shënohet 65-vjetori i nënshkrimit të traktatit.

Për Kim Jong Un, vizita e Xi-së ka një rëndësi të madhe propagandistike.

Koreja e Veriut ka kërkuar të paraqitet si më e fortë, në arenën ndërkombëtare pas tejkalimit të periudhës së pandemisë, dhe përfshirjes në luftën në Ukrainë në mbështetje të Rusisë.

Kina mbetet vendi partner më i madh tregtar dhe mbështetës kryesor ekonomik i regjimit të Koresë së Veriut.

Analistët presin që Kim të kërkojë zgjerimin e tregtisë, përmes kufirit tokësor dhe shtimin e numrit të turistëve kinezë, për të mbështetur resortet e reja bregdetare, dhe qendrat e skive të ndërtuara së fundmi.

Kim ka vazhduar të promovojë publikisht arsenalin bërthamor dhe raketor të vendit, ndërsa ka shfrytëzuar vizitat e delegacioneve të huaja, për të shfaqur zhvillimet në Phenian.

Ai synon të tregojë se këto arritje janë realizuar pa lëshime ndaj SHBA-së dhe pa dialog me Korenë e Jugut.

Që prej dhjetorit 2024, kur shpalli fundin e përpjekjeve për ribashkim me Korenë e Jugut, Kim i ka cilësuar koreano-jugorët si “armikë të përbetuar” dhe ka ndërprerë të gjitha kanalet e komunikimit me Seulin.

Autoritetet në Seoul shpresojnë që Xi të luajë rol ndërmjetësues, gjatë kësaj vizite dhe të nxisë rifillimin e dialogut mes Koresë së Veriut, Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Unifikimit i Koresë së Jugut, Chung Dong-young, deklaroi se beson që gjatë takimit Xi-Kim do të diskutohet edhe mundësia e rifillimit të bisedimeve mes Uashingtonit dhe Phenianit.

Në agjendë pritet të jetë edhe programi bërthamor i Koresë së Veriut.

Ndonëse Kina ka qenë tradicionalisht mbështetëse e denuklearizimit të Gadishullit Korean, vitet e fundit ajo e ka zbutur ndjeshëm retorikën e saj në këtë drejtim.

Gjatë takimit Trump-Xi muajin e kaluar, të dy liderët rikonfirmuan objektivin e përbashkët për denuklearizimin e Koresë së Veriut.

Megjithatë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze shmangu konfirmimin e drejtpërdrejtë të kësaj çështjeje, duke theksuar, se pozicioni i Pekinit mbetet i qëndrueshëm dhe i pandryshuar.

Nga ana tjetër, Pheniani ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ambiciet e tij bërthamore.

Vetëm këtë javë, Kim deklaroi se kapaciteti i vendit për prodhimin e materialeve bërthamore, të gradës ushtarake, është më shumë se dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit, gjatë një vizite në një objekt të ri bërthamor, sipas medieve shtetërore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër