Gogu: IEVP “Shënkoll” do të transformohet në institucion për të dënuarit me probleme të shëndetit mendor

Nga D. V.
666 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se një nga sfidat e sistemit penitenciar në vijim do të jetë trajtimi i të dënuarve me probleme të shëndetit mendor, për të cilët është hartuar një plan për transformimin e një institucioni të posaçëm.

Në një konferencë për shtyp, Gogu u shpreh se bëhet fjalë për persona të dënuar të cilët, përveç vendimit gjyqësor, kanë edhe një vlerësim për gjendjen e tyre të shëndetit mendor dhe kërkojnë trajtim të specializuar.

“Një nga sfidat me të cilën do të ndeshemi dhe do të raportojmë në vijimësi do të jetë gjendja e të dënuarve të cilët kanë edhe një vendim gjykate sa i përket shëndetit mendor, pra janë të paaftë mendërisht dhe për këtë arsye duhet të trajtohen si të pamundur fizikisht”, tha Gogu.

Ministri bëri të ditur se institucioni i vuajtjes së dënimit në Shënkoll, aktualisht IEVP, është përfshirë në një plan transformimi për t’u kthyer në një institucion të specializuar të shëndetit mendor.

“E kam fjalën për Shënkollin, që sot është IEVP, është burg, por ne po punojmë. Kemi një plan që po e zbatojmë dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor”, deklaroi ministri.

Sipas tij, në këtë institucion do të trajtohen të dënuarit me probleme të shëndetit mendor sipas standardeve që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian.

“Atje do të trajtohen të dënuarit ashtu siç trajtohet një i dënuar që vuan nga shëndeti mendor në çdo vend të BE-së. Do të marrë disa vite, por ne do t’ju informojmë dhe do t’ju raportojmë për ecurinë”, u shpreh Gogu.

Ministri theksoi se projekti po zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, pasi ofrimi i shërbimit mjekësor do të kryhet nga strukturat shëndetësore të specializuara.

“Është projekt në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, për shkak se shërbimin e ofron shërbimi shëndetësor. Janë psikiatrit dhe infermierët e psikiatrisë ligjore të specializuar për këtë punë, për të cilën po punon Ministria e Shëndetësisë”, tha ai.

Gogu shtoi se Ministria e Drejtësisë do të vijojë të ketë përgjegjësinë për garantimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e mjediseve ku do të ofrohen këto shërbime.

“Ne do të vazhdojmë të kryejmë ruajtjen e mjediseve dhe të sigurojmë që ato shërbime të ofrohen në mënyrë dinjitoze”, theksoi ministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër