Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, priti sot në Tiranë një delegacion të Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit të Spanjës, me të cilin zhvilloi bisedime për ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit u diskutua mbi reformat që po zbaton qeveria shqiptare dhe objektivin e qartë për përmbylljen e kritereve teknike të anëtarësimit deri në vitin 2027, si dhe mbi bashkëpunimin me kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Madridin, në funksion të miratimit politik të këtij procesi.
Kryetari i Komisionit, José Ignacio Landaluce Calleja, vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe theksoi se “Bashkimi Evropian ka nevojë ta ketë Shqipërinë në BE, sepse bëhet më i fortë”, duke nënvizuar rëndësinë që Shqipëria dhe Mali i Zi të udhëheqin me shembullin e tyre në procesin e anëtarësimit.
Delegacioni spanjoll përbëhej nga José Ignacio Landaluce Calleja (kryetar), Antonio Gutiérrez Limones (zëvendëskryetar), Pilar Milagros Rojo Noguera (anëtare dhe zëdhënëse) dhe Luis de la Peña Rodríguez (këshilltar ligjor).
Gogu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës dhe theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për ta kthyer këtë mbështetje në rezultate konkrete deri në vitin 2027.
