Gogu pret kreun e SPAK: Adresim i boshllëqeve ligjore, bashkëpunim institucional

Nga D. V.
374 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 prill – Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u takua me drejtuesin e SPAK, Klodjan Braho, në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Në qendër të bisedës ishte bashkëpunimi ndërinstitucional në disa drejtime kyçe, që sipas ministrit lidhen me përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale, mbështetjen infrastrukturore dhe rritjen e efikasitetit të sistemit.

Sipas Ministrit Gogu, një nga pikat kryesore të bashkëpunimit do të jetë adresimi i boshllëqeve ekzistuese ligjore, përfshirë çështje që lidhen me statusin e prokurorëve, kompetencat proceduriale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Po ashtu, në fokus mbeten edhe koordinimi në nivel politikash publike, si dhe konsolidimi i standardeve e praktikave që garantojnë siguri juridike dhe besim publik.

Ministri e vlerësoi SPAK-un si një institucion kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e lidhur rolin e tij jo vetëm me forcimin e shtetit të së drejtës, por edhe me avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Gogu theksoi se bashkëpunimi me SPAK dhe të gjitha institucionet e drejtësisë do të mbështetet në respektimin e plotë të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së institucioneve, duke nënvizuar se qëllimi është një sistem drejtësie më funksional, më i besueshëm dhe më efikas për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër