Gordana Dimitrieska-Koçoska: Maqedonia dhe Sllovakia kanë potencial të madh për bashkëpunim ekonomik

Nga D. V.
732 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup/Bratisllavë, 07 maj, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia kanë potencial të madh për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, ndërsa Bratisllava mbetet një mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të vendit dhe e reformave që lidhen me procesin eurointegrues.

Kjo u konstatua në takimin kokë më kokë mes ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, dhe homologut të saj sllovak, Ladislav Kamenicky, i cili ishte nikoqir i takimit.

Në takim u theksua se Sllovakia është e gatshme të transferojë përvojat dhe njohuritë e saj në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në fusha ku konsiderohet më e avancuar dhe që janë me rëndësi për përmbushjen e kritereve të nevojshme për anëtarësim në Bashkimi Evropian.

Sipas njoftimit, mbështetja dhe transferimi i “know-how”-it pritet të përfshijë financat publike, luftën kundër evazionit tatimor dhe menaxhimin e investimeve publike.

Në takim u potencua gjithashtu mbështetja e fuqishme e Sllovakisë për zbatimin e Strategjisë nacionale zhvillimore, e cila konsiderohet dokument kyç për përcaktimin e politikave të ardhshme zhvillimore të vendit.

Ministrja Gordana Dimitrieska-Koçoska theksoi se Qeveria dhe Ministria e Financave mbeten të fokusuara në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe të financave publike, si dhe në zbatimin e konsolidimit gradual fiskal dhe arritjen e normave më të larta të rritjes ekonomike.

“Bëhet fjalë për reforma dhe hapa që janë prioritet në programet qeveritare, por edhe në masat dhe politikat për të cilat u diskutua në takimet e djeshme në Bruksel”, theksoi ministrja.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve duhet të avancohet më tej, duke theksuar nevojën për thellimin e lidhjeve të biznesit, shkëmbimin e informacioneve dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër