Gratë pas suksesit të Festivalit të Sarajevës – një histori që nisi në kohë lufte

Nga D. V.
366 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Festivali i Filmit në Sarajevë ka një histori që nis gjatë viteve të luftës dhe rrethimit të qytetit.

Në vitin 1993, në Sarajevën e rrethuar, u krijua kinemaja e luftës Apollo, si një mënyrë për t’u përballur me realitetin e vështirë dhe për të ruajtur një ndjenjë normaliteti.

Dy vite më vonë, nga e njëjta frymë lindi Festivali i Filmit në Sarajevë, i cili me kalimin e viteve u shndërrua në një nga manifestimet më të rëndësishme të filmit në rajon.

 Festivali i Filmit në Sarajevë

Gratë kanë pasur një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e festivalit.

Izeta Gradevic, e cila ishte pjesë e Obala Art Center që nga fillimet e saj, ka qenë që në start drejtoreshë kreative e festivalit.

Ajo është përgjegjëse për identitetin vizual, ekipin e seleksionimit dhe shumë nga aktivitetet që qëndrojnë pas organizimit të festivalit.

Edhe Elma Tataragic është pjesë e historisë së festivalit që nga edicioni i parë në vitin 1995.

 Elma Tataragic

Sot ajo përzgjedh filmat për disa prej kategorive kryesore, duke ndihmuar që në program të përfshihen histori të reja dhe autorë nga rajoni.

Një tjetër emër i rëndësishëm është Rada Sesic, e cila prej vitesh drejton përzgjedhjen e konkurrencës së filmave dokumentarë.

Përmes programit dhe punëtorisë Docu Rough Cut Boutique, ndihmon filmat që janë ende në fazën e montazhit të zhvillohen dhe të gjejnë rrugën drejt publikut.

Festivali nuk është shquar vetëm për gratë që kanë punuar pas skenës, por edhe për aktoret dhe regjisoret që kanë lënë gjurmë në të.

Aktorja kroate Marija Skaricic ka fituar tri herë Zemrën e Sarajevës për aktoren më të mirë.

 Marija Skaricic

Një figurë tjetër shumë e rëndësishme është regjisorja Jasmila Zbanic, e cila ka kryesuar jurinë kryesore të festivalit në vitin 2006.

Në historinë e festivalit kanë marrë pjesë edhe emra të mëdhenj të kinematografisë botërore.

Angelina Jolie, Isabelle Huppert dhe Meg Ryan janë nderuar me Zemrën e Nderit të Sarajevës.

Këtë vit, pjesë e festivalit do të jetë edhe aktorja britanike Emily Watson, dy herë e nominuar për Oscar, e cila do të kryesojë jurinë kryesore dhe do të marrë gjithashtu Zemrën e Nderit të Sarajevës.

 Festivali i Filmit në Sarajevë

Edicioni i këtij viti tregon gjithashtu rritjen e rolit të grave si regjisore.

Nga nëntë filmat artistikë në konkurrencën kryesore të edicionit të 32-të, gjashtë janë realizuar nga gra: Ursa Menart, Dina Duma, Kosara Mitic, Blerta Basholli, Sandra Wollner dhe Ana Urushadze.

Ky fakt nuk shihet vetëm si statistikë, por si dëshmi se perspektiva femërore është bërë një nga zërat kryesorë të kinemasë bashkëkohore në rajon dhe Evropë. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër