Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore” vazhdoi sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup me leximin e provave materiale nga Prokuroria Publike. Në mesin e të akuzuarve janë ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ish-drejtori i SHA “Lotaria Shtetërore”,
Prokuroria paralajmëroi paraqitjen e 231 provave materiale, disa ekspertizave dhe marrjen në pyetje të shtatë dëshmitarëve. U prezantua dokumentacion lidhur me themelimin e shoqërisë së përbashkët me partnerin e huaj, vendimet qeveritare dhe transaksionet financiare për blerjen e terminaleve të videolotarisë (VLT).
Prokuroria paraqiti gjithashtu kontratat për investimin e përbashkët dhe themelimin në vitin 2013 të “Lotarisë Shtetërore Video të Republikës së Maqedonisë – Casinos Austria DOO Shkup”, si dhe dokumente nga seanca e 158-të e Qeverisë, e mbajtur më 6 qershor 2023. Si prova u paraqitën edhe urdhërpagesa në valutë të huaj, ekstrakte bankare, fatura dhe dokumentacioni financiar për blerjen e terminaleve.
Grubi, me laptop para tij, i ndoqi provat që prokurorët po paraqisnin kundër tij dhe shtatë të akuzuarve të tjerë. Ai reagoi ndaj provave që lidhen me seancën qeveritare të cilën e kishte drejtuar dhe nisi të shpjegonte mënyrën se si ishin miratuar disa pika.
Gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski i bëri me dije se ai dhe të akuzuarit e tjerë do ta kenë mundësinë të paraqesin versionin dhe provat e tyre gjatë fazës së mbrojtjes.
Avokati Jordan Apostolski, mbrojtës i të akuzuarit Bojan Janev, e cilësoi aktakuzën si të dobët, të paqartë dhe kontradiktore. Sipas tij, dokumentet e paraqitura deri tani mbështesin pretendimin e mbrojtjes se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kishin vepruar sipas udhëzimeve dhe me pëlqimin paraprak të Qeverisë.
