Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të fazës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë, krahas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe përfaqësuesve të institucioneve, morën pjesë edhe bashkëkryetarët e VLEN‑it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.
Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti theksoi rëndësinë e veçantë të kësaj autostrade për qytetarët në Maqedoninë e Veriut.
“Sot vendosëm gurthemelin e autostradës Shkup–Bllacë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për vendin dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Është rruga që lidh Shkupin me Prishtinën. Dy kryeqendra, dy ekonomi, mijëra familje, biznese e njerëz që çdo ditë lëvizin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sot nuk flasim për atë që do të bëhet. Sot e nisëm! Autostrada Shkup–Bllacë është një prej rezultateve që e tregojnë më së miri këtë peshë politike. Shkupi më afër Prishtinës. Shqiptarët më afër njëri‑tjetrit. Puna jonë po shihet!” ka shkruar Mexhiti.
Ndërsa bashkëkryetari Bilall Kasami e cilësoi projektin si historik.
“HISTORIKE! Më në fund vendosëm gurthemelin dhe filluam punimet për 10 kilometrat e autostradës Shkup–Bllacë. Ky projekt strategjik që na lidh dhe afron me Kosovën, me rëndësi të veçantë ekonomike, po jetësohet falë vizionit dhe përkushtimit të VLEN‑it dhe të Qeverisë! I përgëzoj të gjithë qytetarët. Ta gëzojmë!”, ka shkruar Kasami.
Ky projekt, i financuar përmes BERZH‑it dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, pritet të sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe rajonale, duke afruar më shumë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Kujtojmë që, autostrada me gjatësi prej 10,5 kilometrash, do të përfshijë pesë tunele dhe tetë ura, duke krijuar një lidhje më të shpejtë dhe më të sigurt mes Shkupit dhe Prishtinës. Projekti pritet të përfundojë brenda katër viteve.
