Guvernatori Slaveski: Pagesat e menjëhershme do të mundësojnë transfere për disa sekonda, 24 orë në ditë

Nga I.A
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 shtator, Zhurnal.mk – Zhvillimi i sistemeve të pagesave është një nga prioritetet e Bankës Popullore, ndërsa futja e pagesave të menjëhershme përmes platformës kombëtare, e cila paraqet klon të sistemit evropian TIPS, do të jetë një hap i rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës së brendshme të pagesave. Këtë e theksoi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, në paraqitjen e tij në ditarin qendror të “Televizionit Maqedonas”.“TIPS‑kloni është sistem i pagesave të menjëhershme ku pagesat do të kryhen për disa sekonda, me çmim relativisht të ulët dhe kjo 24 orë, jo siç kemi situata pas përfundimit të orarit të punës të duhet të prisni ditën e ardhshme ose paratë të arrijnë në llogari për një ose dy ditë. Paratë arrijnë në të njëjtin moment, 365 ditë në vit”, theksoi guvernatori.

Ai shpjegoi se në fazën e parë pagesat e menjëhershme do të realizohen përmes kanaleve ekzistuese të bankimit mobil dhe elektronik, gjë që do të mundësojë transfere më të shpejta dhe më të thjeshta të mjeteve, pavarësisht nga orari i punës së bankave dhe nga dita e javës. Slaveski theksoi se zhvillimi i mëtejshëm i pagesave të menjëhershme hap mundësi edhe për forma të reja të pagesave, siç janë pagesat në pikat e shitjes, pagesat me kodet për përgjigje të shpejtë (QR), si dhe transfere përmes përdorimit të numrit të telefonit mobil ose adresës elektronike, pa ndërmjetësime shtesë që i rrisin kostot.

Futja e TIPS‑klonit është pjesë e aktiviteteve më të gjera të Bankës Popullore për përmirësimin e infrastrukturës së pagesave, rritjen e efikasitetit të pagesave dhe sigurimin e shërbimeve moderne, të shpejta dhe të qasshme të pagesave për qytetarët dhe kompanitë.

Njëkohësisht, guvernatori theksoi se kjo iniciativë ka edhe rëndësi evropiane. Maqedonia e Veriut është ndër vendet e Ballkanit Perëndimor të cilave u është ofruar, ende para anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të bashkohen me sistemin e pagesave të menjëhershme të Bankës Qendrore Evropiane.

Duke folur për aktivitetet e Bankës Popullore në fushën e sistemeve të pagesave, guvernatori u ndal edhe te bashkimi i vendit me Zonën e Vetme për Pagesa në euro (SEPA), i realizuar më 7 tetor të vitit të kaluar. Si rezultat i kësaj integrimi, rreth 60% e pagesave ndërkufitare në euro për momentin kryhen përmes SEPA‑s, gjë që, siç theksoi, ka kontribuar për ulje të konsiderueshme të kostove, pra provizioneve për transferin e mjeteve për qytetarët dhe kompanitë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër