Shkup, 17 shtator, Zhurnal.mk – Ministri Agon Ferati realizoi takim me ambasadorin e OSBE‑së në Shkup, Kilian Val.
Në fillim të takimit, ministri Ferati i shprehu falënderim ambasadorit Val për mbështetjen që OSBE do t’ia sigurojë Ministrisë, me pesë ekspertë tematikë dhe një ekspert udhëheqës, me qëllim të jepet mbështetje në përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për zhvillimin e interkulturalizmit dhe kohezionit shoqëror.
Më tej, u bisedua për rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve dhe forcimit të kohezionit social, me theks të veçantë te të rinjtë dhe politikat për parandalimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve.
Ministri Ferati e prezantoi konceptin “25 dhe më tej”, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së vetëqeverisjes lokale dhe qendrave rinore, me qëllim të sigurohet pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në procesin e krijimit të politikave afatgjata dhe zhvillimore. Si prioritete të tjera u theksuan edhe arsimi, ekonomia, shoqëria civile dhe start‑up‑et. Të dyja palët u pajtuan për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Ministrisë dhe OSBE‑së, si dhe për mbështetje konkrete në fushat prioritare.
Të dy bashkëbiseduesit e theksuan nevojën për veprim konkret në drejtim të ndërtimit të besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve.
