Hamza akuzon LVV-në për mungesë serioziteti

Nga D. V.
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 6 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pas përfundimit të seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ka kritikuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtin për mënyrën se si është menaxhuar procesi i konstituimit të institucioneve.

Hamza tha se zhvillimet e seancës dëshmojnë mungesë serioziteti dhe përgjegjësie nga subjekti që ka dalë i pari në zgjedhje.

“Siç edhe përcollët, kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që ka fituar më shumë mandate në zgjedhjet e fundit. Thirret seanca pothuajse në ditën e fundit dhe në fund dalin, mbajnë fjalime politike, abuzojnë me ulësen e kryesuesit dhe kërkojnë ende kohë. Këto sjellje duhet të përfundojnë dhe vendit duhet t’i japin institucionet. E kemi deklaruar rolin tonë, jemi parti në opozitë. Kushtetuta është e qartë, Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga momenti i certifikimit të zgjedhjeve”, deklaroi Hamza.

Në lidhje me situatën e krijuar reagoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të procesit të konstituimit të institucioneve.

Tahiri tha se qytetarët janë dëshmitarë të një situate që, sipas tij, është e dëmshme për vendin.

“Tani jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën. Më 8 korrik janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa sot del kryetari i LVV-së dhe u thotë qytetarëve të Kosovës se na duhet ende kohë. Por a nuk patët 30 ditë kohë? Problemi kryesor nuk është te Qeveria e as te Kuvendi, por te Presidentja. A po doni të krijoni edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese? Kjo është vetëm për të blerë pak kohë që t’i marrin tri institucionet, e ato nuk i takojnë një partie politike, sepse nuk i ka votat. Asnjë fjalë nuk u tha për gjashtë kërkesat. Sot del e flet në mënyrë të papërgjegjshme duke thënë se na duhet ende kohë”, u shpreh Tahiri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër