Shkup, 6 gusht, Zhurnal.mk – Mbrëmë 50 shoferë janë sanksionuar në aksionin e kontrollit rrugor në Tetovë, një person është privuar nga liria, ndërsa është konfiskuar një moped dhe një mjet i lehtë elektrik
Më 05.08.2026, në periudhën nga ora 17:00 deri në orën 23:00, Njësiti Mobil i Sigurisë së Qarkullimit Rrugor pranë Sektorit të Çështjeve të trafikut realizoi një aksion kontrollues në territorin e Tetovës, për sanksionimin e drejtuesve të mopedëve, motoçikletave dhe mjeteve të lehta elektrike (trotineteve), të cilët nuk i respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut.
Gjatë kontrollit u shqiptuan 50 sanksione, prej të cilave nëntë ndaj drejtuesve të mjeteve të lehta elektrike (trotineteve), 31 për drejtimin e mopedit dhe motoçikletës pa helmetë mbrojtëse (kaskë), një për skadimin e afatit të vlefshmërisë së policës së sigurimit, një për skadimin e vlefshmërisë së regjistrimit të motoçikletës, një për drejtim pa kategorinë përkatëse, një për drejtim nën ndikimin e alkoolit, një për shkelje të tjera të kryera nga drejtuesit e mopedëve dhe motoçikletave, tre masa për shkelje të tjera të trafikut dhe një kërkesë ndaj një personi juridik.
Një person u privua nga liria mbi dyshime të bazuara për kryerje të veprës penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal – drejtimi i mjetit motorik (mopedit) pa poseduar patentë shoferi, ndërsa mopedi është konfiskuar.
Përkohësisht u konfiskua edhe një mjet i lehtë elektrik (trotinet), pasi drejtohej nga një fëmijë, i cili transportonte edhe një person tjetër.
Kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme në të gjithë territorin e shtetit, me qëllim sanksionimin e shkelësve, rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në trafik. U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut, me ç’rast së bashku do të kontribuojmë për rrugë më të sigurta.
