Tiranë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama priti sot në takim presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.
Rama publikoi pamje nga takimi duke detajuar edhe temat e bisedës.
“Me mikun e shtrenjtë të Shqipërisë, Presidentin e Këshillit Europian, António Costa, për rrugëtimin europian të vendit tonë, hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe objektivin tonë për Shqipërinë 2030 në BE”, shkroi Rama.
Ndërkohë pas takimit të përbashkët mes dy delegacioneve, kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Më herët sot, Presidenti i Këshillit Europian u prit në një takim edhe nga Presidenti Bajram Begaj.
Costa viziton Tiranën, në kuadër të vizitave diplomatike në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Samiti po mbahet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcimin e marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor.
