Tiranë, 29 shtator Zhurnal.mk – Qeveria planifikon që të hapë një aeroport sezonal në jug të vendit pas atij të Vlorës, si dhe të bëjë funksional aeroportin e Kukësit. Lajmi u bë me dije nga Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në Samitin e Euro News për Turizmin, që u mbajt Bruksel. Gjatë fjalës së tij u shpreh se numri i turistëve në vendin tonë po rritet çdo vit, duke theksuar gjithashtu se se aeroporti i Rinasit ka lënë pas aeroportet e tjera të rajonit për nga numri i pasagjerëve.
“Ne nuk kemi infrastrukturën me te mirë në botë. Kemi një aeroport që është më rritjen më të shpejtë në Evropë. I kemi lenë fqinjët pas për të pestin ose gjashtin vit. Kemi lenë pas aeroportin e Beogradit. Tani do te hapim një aeroport të ri në Vlorë, po punojmë për një aeroport tjetër sezonal në jug. Është një i katërt në zonën malore, por nuk po punon ashtu siç do donim”.
Kryeministri theksoi se qëllimi është rritja e mëtejshme e turizmit.
“Objektivi ynë është bota, se po zbulojmë që të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në këtë rritje. Kur nisëm këtë udhëtim transformues, numëronim 2 milionë turistë dhe kjo shifër përfshinte edhe zyrtarët që bënin numërimin, se çdo shqiptar që hynte e dilte në vend ishte pjesë e kësaj shifre. Paraardhësi im ishte turist kur u kthye në Shqipëri. Vitin e kaluar, 12 milionë të huaj. Mes tyre, japonezë, amerikanë, amerikano-latinë, kinezë, izraelitë, vizitorë nga Lindja e Mesme”, tha Rama.
Samiti bëri bashkë politikëbërës, drejtues të industrisë, investitorë dhe ekspertë për të diskutuar zhvillimet që po formësojnë të ardhmen e turizmit, nga ndryshimi i pritshmërive të udhëtarëve te inovacioni digjital dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
