Tiranë, 28 prill, Zhurnal.mk – Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme vijon në të gjithë vendin. Kjo nismë i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor, duke sjellë zhvillim për komunitetet.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik të vitit të kaluar, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.
Në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion portali “Hapësiraimepublike.gov.al”.
Përmes platformës “Hapësira Ime Publike”, janë raportuar deri më sot, 21 014 raste, nga të cilat 16 265 janë zgjidhur, ndërsa 4749 janë në proces verifikimi dhe trajtimi.
Çdo denoncim është një hap më shumë drejt një komuniteti më të rregullt, më të pastër dhe më funksional për të gjithë.
Denoncuesi mund të vetidentifikohet përmes portalit “e-Albania”, ose të qëndrojë në anonimat.
Në rast se qytetarët nuk marrin përgjigje për ankesën e parë brenda 24 orësh, në portal është vendosur në dispozicion një formular për ndjekje të mëtejshme të problematikës.
Në portalin “Hapësira ime publike” mund të denoncohen të gjitha rastet që shqetësojnë komunitetin duke nisur nga zënia e trotuareve, parkimet e paligjshme, ndërtime pa leje, dëme të pronës publike, ndotje fizike apo akustike të hapësirës publike, zaptim të rrugëve kombëtare, përfshirë kantieret e ndërtimit me rrethime të pasigurta.

