Prishtinë, 25 gusht, Zhurnal.mk – Ish-kryetari i Aleancës Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Ismet Jasharin nga Kumanova dhe dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, në përvjetorin e rënies së tyre.
Haradinaj ka thënë se Jashari ishte një nga luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se veprimtaria e tij kishte shërbyer si frymëzim për luftëtarët e lirisë në Kosovë.
“Ismet Jashari nga Kumanova ishte njëri ndër luftëtarët më të shquar të UÇK-së. Ai ishte bërë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë në mbarë Kosovën. Fakti se për çlirimin e Kosovës luftonin edhe djemtë nga Kumanova, Tetova dhe nga gjitha trojet shqiptare, përforconte moralin e trimave të UÇK-së”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka kujtuar edhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, e cila, sipas tij, mbajti me krenari emrin e komandantit Kumanova.
“Në përvjetorin e rënies së tij, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, që me krenari mbajti emrin e komandant Kumanovës. Kujtojmë betejat dhe përpjekjet e kësaj brigade të lavdishme, në mbrojtje të pozicioneve të luftës dhe popullatës së zhvendosur në Malet e Berishës dhe dëshmorët që ranë në ofensivat e gushtit; Habib Zogaj, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj, dhe Zenun Mataj”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka theksuar se kujtimi për dëshmorët do të mbetet i përhershëm.
“Të paharruar në kujtimin e brezave.
Lavdi!”, ka shtuar Haradinaj.
