​Haziri: Nëse ka gatishmëri të VV-së, LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore

Nga Xh M
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 1 gusht Zhurnal.mk – Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se LDK për 24 mund t’i mbyllë të gjitha çështjet parimore drejt arritjes së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Parimet, të cilat LDK i ka shprehur si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në janë: marrëveshje për të gjitha (institucionet; Kuvend, Qeveri, Presidencë) ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave (me LVV-në)”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se që nga bisedimet e para formale, të zhvilluara mes Kurtit, Abdixhikut dhe ish-presidentes Vjosa Osmani më 10 korrik, Vetëvendosje është njoftuar për parimet mbi të cilat LDK-ja e sheh një marrëveshje të mundshme.

Sipas tij, tani i takon Vetëvendosjes që në bisedimet e ardhshme, të tregojë nëse i respekton dhe pajtohet me këto parime.

Haziri thotë se në rast se arrihet pajtimi, uniteti i Grupit parlamentar të LDK-së mund të sigurohet përmes bashkëpunimit të brendshëm.

“Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri (nga LVV-ja), atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore. Neve (në LDK) nuk na ndan asgjë, ndërkaq ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit”, tha Haziri.

Ai shprehu besimin në pjekurinë politike të Grupit Parlamentar të LDK-së, për një unitet rreth vendimeve të kreut të partisë.

Haziri rikonfirmoi se gjatë kuvendit partiak të mbajtur më 30 korrik, është arritur pajtimi që ky subjekt të bashkëpunojë me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër