Hedhje me gurë dhe thyerje e xhamit, arrestohet një shtetase e huaj në Prishtinë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 4 tetor Zhurnal.mk – Një shtetase e huaj është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se ka lënduar një person dhe ka dëmtuar pronën.

Rasti ka ndodhur më 3 tetor, rreth orës 03:00. Sipas Policisë, e dyshuara, derisa ndodhej në ballkonin e banesës ku po qëndronte, kishte hedhur gurë në drejtim të ballkonit të një personi tjetër, po ashtu shtetas i huaj.

Si pasojë e goditjes me gurë, viktima kishte pësuar lëndime në këmbë.

Sipas raportit policor, e dyshuara më pas kishte vazhduar me sjellje agresive. Ajo dyshohet se me një thikë kishte thyer xhamin e derës së terasës dhe kishte hyrë brenda, duke paraqitur rrezik për njësitin policor që po intervenonte.

Me urdhër të prokurorit, njësiti përkatës policor kishte hapur me forcë derën e banesës. Nga e dyshuara është konfiskuar thika, ndërsa ajo është shoqëruar në stacion policor.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër