Hekurudha Tiranë-Durrës, Karakaçi: 3 deri 5 kompani ndërkombëtare në garë për operimin e linjës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Tre deri në pesë kompani ndërkombëtare me përvojë kanë shfaqur interes për të marrë pjesë në garën për përzgjedhjen e operatorit ndërkombëtar të hekurudhës Tiranë-Durrës, bëri të ditur sot ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, në interes të medies për ecurinë e punimeve në këtë hekurudhë, Karakaçi tha se procesi për përzgjedhjen e operatorit ndërkombëtar është në vijim dhe pritet të finalizohet së shpejti.

“Kishim një takim shumë të rëndësishëm dje, që është për përzgjedhjen e operatorit ndërkombëtar për hekurudhën Tiranë-Durrës, me stacionin kryesor, aeroportin e Rinasit”, u shpreh ministri.

Karakaçi theksoi se tashmë janë lidhur të gjitha kontratat për projektin, përfshirë kontratën për hekurudhën, kontratat për stacionet dhe kontratën për elektrifikimin.

Sipas tij, një nga elementet kryesore të procesit është përzgjedhja e një operatori ndërkombëtar që do të sigurojë edhe vagonët dhe do të kryejë operimin e linjës sipas standardeve ndërkombëtare.

“Lajmi i mirë është që janë nga 3 deri në 5 kompani ndërkombëtare me shumë eksperiencë që kanë shfaqur interes dhe duan të jenë pjesë e garës së operatorit ndërkombëtar. Procesi është në vijim dhe shumë shpejt do të kemi finalizimin e këtij procesi”, deklaroi Karakaçi për mediet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër