Hot Wheels shpall fituesin e Legends Tour 2026 pas garës globale

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Matt McEntegart ka rikthyer titullin e Hot Wheels Legends Tour në SHBA për herë të parë pas katër vjetësh. Automobili i tij i modifikuar, një Chevrolet El Camino i vitit 1979, fitoi çmimin kryesor në finalen botërore të mbajtur më 14 nëntor, duke lënë pas finalistët nga Indonezia, Italia dhe Kili.

Automobili, i pagëzuar me nofkën “SS Monte Mino”, tashmë do të dërgohet në studion e dizajnit të Mattel-it, ku do të shndërrohet në një model lodër në shkallën 1:64 dhe do të dalë në shitje në dyqane në mbarë botën.

Projekti i McEntegart ndërthur elemente nga tri modele ikonike të Chevrolet-it. Ai përshtati karrocerinë e një El Camino në shasinë e modifikuar të një Corvette të vitit 2008, duke zgjatur bazën e rrotave për 12 inç dhe duke përfshirë detaje të dizajnit të Monte Carlo SS.

Nën kapak ndodhet një motor V8 i modifikuar i Chevrolet-it, me hyrje ajri të ekspozuara dhe disa përmirësime për performancë më të lartë. Sistemi i personalizuar i pezullimit me ajër e ul karrocerinë shumë pranë tokës, mbi rrota 22-inçëshe, duke i dhënë automjetit një pamje të veçantë.

Ted Wu, drejtues i përgjithshëm i Mattel-it dhe përgjegjës global për automjetet dhe setet e ndërtimit, vlerësoi punën e realizuar nga fituesi.

“Automobili El Camino i Mattit u dallua për dizajnin e guximshëm dhe mjeshtërinë e punimit. Jemi të nderuar që projektin e tij pasionant do ta shndërrojmë në një model zyrtar Hot Wheels, për t’u luajtur dhe koleksionuar nga fansat në mbarë botën”, deklaroi Wu.

Për realizimin e automjetit, McEntegart krijoi prototipe prej shkume dhe ndërtoi vetë kallëpet për prodhimin e paneleve të gjera të karrocerisë. Automobili është lyer në ngjyrë bordo dhe ka detaje prej karboni të farkëtuar me nuancë të kuqe.

Edhe pjesa e brendshme ndërthur elemente të tapicerisë së viteve 1980 me komandat moderne të Corvette-s, të gjitha të montuara me dorë nga vetë McEntegart.

Rrugëtimi i tij drejt titullit nisi në Tampa, ku El Camino fitoi garën lokale. Më pas, automobili kaloi në fazat rajonale të Amerikës së Veriut. Edicioni i vitit 2026 i Hot Wheels Legends Tour përfshiu gjithsej 19 shtete, mes tyre 12 gara në Amerikën e Veriut, duke tërhequr mijëra projekte të modifikuara.

Fituesit rajonalë nga Amerika e Veriut, Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika, Amerika Latine dhe rajoni Azi-Paqësor u përballën në finalen globale.

Mes finalistëve ishte edhe indoneziani Sandranto Hertanu, me një Morris Mini Van të vitit 1961, të shndërruar në një kamionçinë të personalizuar. Italia u përfaqësua nga Andrea Cionco, i cili kishte modifikuar një Mazda MX-5 të vitit 1990 me zgjerime të karrocerisë të frymëzuara nga dizajni japonez.

Ndërsa nga Kili garoi Andres Romero Maureira me një Chevrolet Salaya SP të vitit 1992, makinë garash e pajisur me motor V8 me 450 kuaj fuqi. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk arriti të tejkalonte rezultatin e El Camino-s së McEntegart.

Secili finalist kishte kaluar nëpër garat lokale dhe një proces përzgjedhjeje të zhvilluar nga dizajnerët e Hot Wheels dhe ekspertët rajonalë të automobilizmit.

Gara Legends Tour është zgjeruar ndjeshëm që nga nisja në vitin 2018, kur ishte një aktivitet i kufizuar në SHBA dhe i lidhur me organizimet e Walmart-it për 50-vjetorin e Hot Wheels.

Ndër fituesit e mëparshëm globalë janë modeli i vogël “Texas Toot”, i shpallur fitues në vitin 2022, dhe Fiat 126P i modifikuar për gara rally nga Polonia, që fitoi në vitin 2025.

Sipas Mattel-it, fitorja e McEntegart shënon rikthimin e parë të një përfaqësuesi amerikan në vendin e parë që nga triumfi i vitit 2022.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër