Konvikti studentor “Kuzman Josifovski – Pitu” do të hapet në janar 2027, Janevska inspektoi punimet ndërtimore

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Rikonstruksioni i konviktit studentor “Kuzman Josifovski – Pitu”, në qendër të Shkupit, është në fazën përfundimtare dhe objekti do t’i pranojë studentët e parë në janar të vitit 2027, para fillimit të semestrit të dytë. Inspektimin e investimit me vlerë prej 10 milionë eurosh e bëri sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

“Ky objekt do të jetë konvikti i dytë modern studentor që do ta hapim me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Bankës Gjermane për Zhvillim – KFW, me të cilët së bashku e filluam dhe do ta përfundojmë procesin e rinovimit tërësor të 9 konvikteve shtetërore studentore dhe 6 shkollave shtetërore me qendra burimore. Këto janë investime të rëndësishme në standardin studentor dhe në gjithëpërfshirjen e sistemit arsimor”, deklaroi Janevska.

Ajo saktësoi se për të gjithë projektin janë siguruar 86 milionë euro, nga të cilat 60 milionë euro janë përmes KFW-së, 22 milionë euro janë grante të pakthyeshme nga BE-ja, ndërsa katër milionë euro janë ndarë nga buxheti shtetëror.

Pas hapjes së konviktit të rinovuar “Stiv Naumov” para dy muajsh, me kapacitet për 1.150 studentë, me vënien në funksion të “Kuzman Josifovski – Pitu” sigurohen kushte bashkëkohore për akomodimin e edhe 280 personave të tjerë.

“Tashmë e patë se bëhet fjalë për kushte vërtet të shkëlqyera, standarde të larta për këtë lloj ndërtese dhe pres që studentët që do ta shfrytëzojnë këtë konvikt të jenë të kënaqur, por edhe të përgjegjshëm, në mënyrë që sa më shumë gjenerata të mund t’i përjetojnë përfitimet nga kjo e mirë publike”, theksoi ministrja.

Duke iu referuar simbolikës së datës së sotme, 17 nëntor – Ditës Ndërkombëtare të Studentëve, Janevska theksoi se investimet në këtë fushë janë rritur ndjeshëm.

“Kujdesi për standardin studentor është rritur shumë gjatë një periudhe prej disa vitesh – praktikisht, buxheti për këtë qëllim është dyfishuar nëse krahasojmë vitet 2022 dhe 2026. Vazhdojmë të punojmë me përkushtim që të rinjtë të jenë të kënaqur me vëmendjen që u kushton shteti, t’i tejkalojmë sfidat me të cilat përballen dhe t’i mbajmë këtu, në vendin e tyre, në mënyrë që ta realizojnë potencialin e tyre”, porositi Janevska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër