Tiranë, 26 maj, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Vilnius me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme të Lituanisë, Remigijus Motuzas, ku në fokus ishte bashkëpunimi ndërparlamentar dhe mbështetja për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha vlerësoi rolin e diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit të zgjeruar ndërparlamentar si instrumente të rëndësishme për avancimin e objektivave të përbashkëta, përfshirë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ne ramë dakord për rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit të zgjeruar ndërparlamentar si instrumente të vlefshme për avancimin e objektivave tona të përbashkëta, duke përfshirë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, ku i jemi mirënjohës Lituanisë për mbështetjen e saj të vazhdueshme”, shkruan Hoxha.
Sipas ministrit Hoxha, në kushtet e një mjedisi sigurie gjithnjë e më kompleks, Shqipëria dhe Lituania mbeten të bashkuara për forcimin e unitetit të NATO-s, ruajtjen e sigurisë euroatlantike dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.
Hoxha theksoi gjithashtu se agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës përbën kërcënimin më të madh për arkitekturën e sigurisë në Evropë, duke nënvizuar se uniteti, solidariteti dhe bashkëpunimi i ngushtë midis aleatëve dhe partnerëve janë thelbësorë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në kontinent.
“Në këtë moment kritik, uniteti, solidariteti dhe bashkëpunimi i ngushtë midis Aleatëve dhe partnerëve janë më thelbësore se kurrë për të mbrojtur vetë parimet mbi të cilat paqja dhe stabiliteti në kontinentin tonë janë ndërtuar prej kohësh”, përfundoi Hoxha.
