Prishtinë, 25 qershor Zhurnal.mk – Igballe Berisha Huduti ka reaguar publikisht pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ta shpallur “non-grata”, duke deklaruar se nuk ka asgjë për të humbur dhe se nuk i frikësohet atyre që i quan “zullumqarë”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Huduti tha se ka humbur prej kohësh frikën ndaj padrejtësive dhe se jeta e saj është udhëhequr nga bindjet për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor.
Ajo shkroi se ka ngritur zërin kundër padrejtësive dhe se misionin e saj e lidh me sakrificën dhe qëndresën, duke iu referuar poemës “Qerbelaja” të Naim Frashërit dhe figurave historike të Qerbelasë.
Në reagimin e saj, Huduti u shpreh e zhgënjyer nga trajtimi që, sipas saj, i është bërë ndër vite nga pushtetarë dhe përfaqësues fetarë, duke theksuar se nuk është e gatshme të heqë dorë nga bindjet e saj.
“Më e mirë për mua është një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime”, shkroi ajo, duke kërkuar mbështetje shpirtërore dhe lutje nga qytetarët në ditën e Ashuras.
Reagimi i saj vjen pasi Ministria e Brendshme e Shqipërisë vendosi t’i ndalojë hyrjen në territorin shqiptar për 15 vjet, me arsyetimin se aktiviteti i saj mund të cenojë interesat e sigurisë kombëtare, rendin publik dhe stabilitetin e vendit.
