Mexhiti konfirmon mbështetjen për përfshirjen e Partisë Demokratike të Turqve në Qeveri

Nga Xh M
1,632 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 qershor Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se Partia Demokratike e Turqve duhet të bëhet pjesë e Qeverisë, duke theksuar se kjo do të ishte e rëndësishme si për përfaqësimin e komunitetit turk në vend, ashtu edhe për forcimin e marrëdhënieve me Turqinë, partnerin strategjik të Maqedonisë së Veriut.

Në një intervistë për edicionin e lajmeve në TV Sitel, i pyetur për mundësinë e përfshirjes së Partisë Demokratike të Turqve në ekzekutiv, Mexhiti tha se kjo parti tashmë nuk i përket bllokut opozitar dhe meriton të jetë pjesë e qeverisjes.

“Do të ishte mirë pasi që ata nuk janë më pjesë e bllokut opozitar dhe janë pjesë e rëndësishme e shtetit. Mendoj se duhet të jenë pjesë e Qeverisë”, deklaroi Mexhiti.

Ai sqaroi se një nga arsyet kryesore për përfshirjen e kësaj partie në Qeveri është roli që mund të luajë në avancimin e bashkëpunimit me Turqinë dhe në ndërtimin e urave më të forta ndërmjet dy vendeve.

“Po ashtu, duke shtuar faktin se partner strategjik e kemi Turqinë, na duhet një urë më e mirë ndërmjet komunitetit turk, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë”, tha Mexhiti.

Sipas tij, përfshirja e Partisë Demokratike e Turqve në Qeveri do të kontribuonte në përfaqësim më të gjerë të komuniteteve, në stabilitetin e shumicës qeveritare dhe në forcimin e bashkëpunimit me një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër