I shumëkërkuari Durim Bami ka mbërritur në Shqipëri pas ekstradimit nga Dubai.
47-vjeçari, banues në Krujë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej 15 majit 2024, pas vendimit të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale: sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kultivim i bimëve narkotike si dhe kryerja e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.
Në Aeroportin e Rinasit, Bami u prit nga një ekip i specializuar i përbërë nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat “Shqiponja” dhe Policia e Burgjeve, të cilët e shoqëruan drejt institucionit të ekzekutimit të vendimit penal (IEVP), nën masa të rrepta sigurie.
