Ibri ‘’ndez’’ gjakrat, tensione Tiranë – Beograd. “Kosova është pjesë e Serbisë”, ministri serb sulmon Ramën! Dhuka: Beogradi të lërë pas fantazmat e së shkuarës

Nga Xh M
628 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 gusht Zhurnal.mk – Përplasja mes Tiranës dhe Beogradit për deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç mbi idenë e devijimit të lumit Ibër, jetik për jetën hidrike në Kosovë, vijon me replika. Ministri serb për Integrimin Evropian, Nemanja Staroviç, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po anashkalon Rezolutën 1244, ndërsa ministrja Majlinda Dhuka iu përgjigj duke theksuar se dokumenti nuk riktheu sovranitetin serb mbi Kosovën.

Debati mes Tiranës dhe Beogradit për lumin Ibër është zhvendosur në një përplasje të drejtpërdrejtë diplomatike dhe politike, me palët që kanë vijuar replikat në rrjetet sociale.

Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili hodhi poshtë pretendimet për një agjendë të “Shqipërisë së Madhe” dhe theksoi se pasojat e mundshme të një devijimi të lumit Ibër nuk mund të ndalen në kufijtë e Serbisë, reagoi ministri serb për Integrimin Evropian, Nemanja Staroviç.

Staroviç akuzoi Ramën se po anashkalon Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, duke këmbëngulur se, sipas qëndrimit të Beogradit, Kosova është pjesë e Serbisë.

“Toni është sa më joshës që mund të jetë, megjithatë ai nuk mund të fshehë shmangien e elementit më thelbësor: Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila mbetet plotësisht në fuqi”, shkroi Staroviç.

Ministri serb pretendoi se Rezoluta 1244 përcakton se Kosova ndodhet brenda kufijve të Serbisë dhe kritikoi Shqipërinë për qëndrimet e saj mbi marrëdhëniet fqinjësore.

Ai solli në vëmendje edhe Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, duke argumentuar se këto çështje duhet të jenë në qendër të debatit dhe jo menaxhimi i ujërave të Ibrit.

Përgjigjja nga Tirana nuk vonoi. Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, akuzoi Staroviç për një interpretim selektiv të Rezolutës 1244.

Dhuka theksoi se rezoluta nuk riktheu sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, por vendosi një administrim ndërkombëtar dhe krijoi një proces politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm.

“Rezoluta 1244 nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën. Ajo vendosi administrimin ndërkombëtar, largoi Forcat e Sigurisë Serbe, krijoi një proces të veçantë politik për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe, ç’është më thelbësore, nuk e paracaktoi rezultatin e atij procesi”, deklaroi Dhuka.

Ministrja iu referua edhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka vlerësuar se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“E drejta ndërkombëtare nuk bëhet më e leverdishme duke u cituar me zgjedhje dhe historia nuk kthehet pas thjesht sepse Beogradi vazhdon të presë që ajo ta bëjë këtë”, u shpreh Dhuka.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të Beogradit për integritetin territorial, Dhuka tha se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë dhe hodhi poshtë krahasimin e Kosovës me Ukrainën.

“Sa i përket integritetit territorial, të gjithë mund të biem lehtësisht dhe plotësisht dakord se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Pikërisht për këtë arsye, përmendja e Ukrainës ndërsa diskutohet Kosova, nuk është thjesht një zgjedhje e papërshtatshme. Është madje një argument kundër vetvetes”, tha ajo.

Dhuka theksoi se Shqipëria nuk ka agjendë territoriale ndaj Serbisë dhe se synimi duhet të jetë një Evropë ku Shqipëria, Kosova dhe Serbia të jenë së bashku.

“Le t’i lëmë fantazmat e ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe ‘Serbisë së Madhe’ e të shijojmë daljen e tyre të merituar në pension”, theksoi ministrja.

Ajo u ndal edhe te Marrëveshja e Brukselit, duke deklaruar se çështja e Asociacionit duhet të trajtohet në kuadër të dialogut, por njëkohësisht duhet të merren parasysh edhe detyrimet e Serbisë.

Në fund, ministrja e riktheu vëmendjen te çështja që ndezi debatin mes Tiranës dhe Beogradit: lumi Ibër.

“Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike. Dhe nëse vërtet duam ta ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë evropiane, ekziston një themel ndërtimi dukshëm më i fortë se rëra, realiteti”, u shpreh Dhuka.

Përplasja nisi pas deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për mundësinë e devijimit të lumit Ibër, i cili furnizon me ujë liqenin e Ujmanit në Kosovë.

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave, duke theksuar se duhet të shmangen deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër