Tehran, 5 shtator Zhurnal.mk – Një kolumnë e botuar në një gazetë izraelite ka propozuar që ShBA-ja t’i falë kreditë e amerikanëve të rinj nëse ata pranojnë të bashkohen me një pushtim të Iranit, ndërsa autori argumenton se një luftë amerikane kundër Iranit nuk mund të fitohet vetëm përmes bombardimeve ajrore, por do të kërkonte pushtimin ose kontrollimin e vendit, duke bërë të nevojshme mobilizimin e deri në 1,5 milion trupa.
Propozimi tronditës për t’i përdorur të rinjtë amerikanë të mbytur në borxhe si “mish për top” kundër Iranit u sugjerua nga AJ Jaff, një oficer i pensionuar i Forcave të Armatosura Kanadeze, në një artikull opinioni të botuar nga Jerusalem Post.
Në argumentet e tij, Jaff thotë se muaj sulmesh intensive amerikane nuk kishin shkatërruar kapacitetin ushtarak të Iranit dhe as nuk kishin përfunduar luftën, dhe se një pushtim tokësor do të kërkonte shumë më tepër trupa amerikane sesa numri aktual.
“Numrat e rekrutimit po qëndrojnë nën atë çfarë do të kërkonte një pushtim tokësor i Iranit. Vlerësimet për një fushatë tokësore të suksesshme kundër 31 komandave krahinore të Iranit dhe Doktrinës së tij të Mbrojtjes Mozaike variojnë mes 750.000 dhe 1,5 milion trupave amerikane. Ushtria aktive e ShBA-së numëron rreth 452 mijë veta. Matematika thjesht nuk funksionon,” shkruan autori.
Jaff argumenton se historia amerikane sugjeron një rrugë të mundshme përpara: rekrutimi përmes një programi faljeje borxhi, në vend të rekrutimit tradicional të kohës së luftës.
“Amerikani mesatar i moshës 18 deri në 34 vjeç mban mbi 40.000 dollarë borxh johipotekar, që përfshin kredi studentore, bilanc kartash krediti, kredi automjeti dhe kredi personale, ndërsa disa vlerësime shkojnë deri në 100.000 dollarë,” shkruan ai, duke shtuar se ky është grupmoshë që i duhet Pentagonit.
“Një program i administruar nga qeveria federale, që fal plotësisht kreditë studentore, bilancet e kartave të kreditit dhe kreditë e tjera pas 24 ose 36 muajsh shërbimi, dhe që zgjeron GI Bill-in, do të prodhonte rekrutim vullnetar në shkallë të gjerë,” argumenton kolumnisti.
Një propozim ekstravagant
Rreth 77 për qind e amerikanëve kanë ndonjë formë borxhi. Kjo përkthehet në afërsisht 250-260 milionë individë që përballen me lloje të ndryshme detyrimesh financiare, duke kontribuar në një total historik prej 18,8 trilionë dollarësh borxh të familjeve amerikane. Të rriturit amerikanë mbanin një borxh mesatar prej 63.500 dollarësh.
Jaff citon precedentë amerikanë për skema të tilla rekrutimi, duke vënë në dukje se Lufta e Dytë Botërore solli GI Bill-in, ndërsa Lufta e Vietnamit ofroi shtyrje studimesh universitare.
“Luftërat pas 11 shtatorit ofruan bonuse nënshkrimi dhe rrugë drejt shtetësisë. Lufta e Iranit do të ketë nevojë të ofrojë lehtësim borxhi. Ekonomia e amerikanit të mbytur në borxhe në të 20-at dhe 30-at e bën këtë mekanizmin më efikas të konvertimit në dispozicion të Pentagonit dhe administratës Trump,” thekson autori.
Ai e quan skemën “moralisht të parehatshme”, por gjithashtu e përshkruan atë si “mekanizmin më efikas të konvertimit” për Pentagonin dhe administratën Trump, duke argumentuar se vendet rekrutojnë duke përshtatur stimujt me popullsitë e tyre specifike.
Artikulli i Jaff-it e paraqiti skemën shqetësuese si një nga tri opsionet jokinetike për Uashingtonin për të mundur Iranin, krahas njohjes nga Kongresi amerikan të pavarësisë së pakicave iraniane dhe një marrëveshjeje me Kinën lidhur me naftën iraniane.
Artikulli ka gjeneruar kritika të gjera, ku shumë e kanë hedhur poshtë propozimin si të gabuar nga këndvështrimi amerikan, të tjerë kanë vënë në dyshim kompetencën e autorit, ndërsa disa kanë argumentuar se Izraeli kërkon ta luftojë Iranin “deri te amerikani i fundit”.
Media të tilla si The Blaze e kanë paraqitur propozimin si “të pahijshëm” ose si një shfrytëzim cinik të borxheve amerikane. Ajo e ka quajtur planin e Jaff-it një propozim ekstravagant për të dërguar në vijën e frontit amerikanë të rinj të mbytur në borxhe.
Mises Institute e ka titulluar shkrimin e tij ‘Jerusalem Post Thërret për Më Shumë Amerikanë të Rekrutohen për të Vdekur për Izraelin’, duke e karakterizuar artikullin si një thirrje të një media izraelite drejtuar taksapaguesve amerikanë për të subvencionuar një luftë tjetër.
