IEA: Tregu global i naftës me tepricë në T4 2026

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Paris, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Tregu botëror i naftës pritet të hyjë në një fazë teprice gjatë tremujorit të katërt të vitit 2026, pasi oferta globale do të tejkalojë kërkesën për herë të parë që nga shpërthimi i luftës në Iran, në fund të muajit shkurt, bëhet e ditur  nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (AIE) në raportin e saj mujor të publikuar sot.

Sipas agjencisë, analizat e ofertës dhe kërkesës për muajin nëntor tregojnë se tregu ndërkombëtar i naftës do të rikthehet në një situatë suficiti gjatë tre muajve të fundit të vitit 2026. Kjo tepricë pritet të bëhet edhe më e madhe gjatë vitit 2027.

Oferta globale e naftës u rrit me 2,3 milionë fuçi në ditë gjatë muajit tetor, duke arritur në 105,4 milionë fuçi në ditë. Sipas IEA-së, kjo rritje u mbështet kryesisht nga niveli i lartë i eksporteve të vendeve të Gjirit, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike dhe cisternave të naftës.

Megjithatë, eksportet e vendeve të Gjirit, me përjashtim të Omanit, mbeten 26% më të ulëta krahasuar me nivelet e regjistruara përpara luftës. Përmirësimi i furnizimeve nga ky rajon ka bërë që IAE të rrisë me 3,3 milionë fuçi në ditë parashikimin për ofertën globale të naftës për pjesën e mbetur të vitit.

Agjencia vëren se tregu po shfaq shenjat e para të një rikthimi gradual drejt ekuilibrit, pasi oferta po tejkalon për herë të parë kërkesën që nga fillimi i luftës në Iran. Ky zhvillim mund të ndikojë në ecurinë e çmimeve ndërkombëtare, megjithëse situata mbetet e ndjeshme ndaj zhvillimeve gjeopolitike dhe ndërprerjeve të furnizimit.

Sa i përket kërkesës, IEA parashikon që konsumi global i naftës të ulet me 2.7 milionë fuçi në ditë gjatë vitit 2026, duke zbritur në 102,3 milionë fuçi në ditë. Për vitin 2027, megjithatë, kërkesa pritet të rikuperohet me rreth 2 milionë fuçi në ditë.

Në tremujorin e katërt të vitit 2026, rënia vjetore e kërkesës parashikohet të jetë 2,7 milionë fuçi në ditë, më e ulët se tkurrja mesatare prej 4,4 milionë fuçish në ditë e regjistruar gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë.

Sipas agjencisë, kërkesa vijon të ndikohet negativisht nga ndërprerjet e eksporteve të produkteve të rafinuara të naftës dhe gazit të lëngshëm të naftës (GLN) nga vendet e Gjirit, të cilat mbeten rreth gjysmës së nivelit të para luftës, si dhe nga çmimet e larta të karburanteve.

Ndërkohë, rezervat globale të naftës u rritën me 52 milionë fuçi gjatë muajit tetor, ose me një mesatare prej 1.7 milionë fuçish në ditë. Kjo ishte rritja e parë e rezervave që prej muajit qershor, duke përforcuar sinjalet se furnizimi global po përmirësohet gradualisht.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër