Infeksionet seksualisht të transmetueshme arrijnë nivele rekord në Evropë

Nga D. V.
237 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kopenhagë, 21 maj, Zhurnal.mk – Rastet e infeksioneve bakteriale seksualisht të transmetueshme janë rritur ndjeshëm në Evropë, njoftoi sot Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Sipas agjencisë shëndetësore të Bashkimit Evropian me seli në Solna të Suedisë, rastet e raportuara të gonorresë dhe sifilizit arritën nivelet më të larta, në më shumë se një dekadë gjatë vitit 2024.

ECDC regjistroi 106,331 raste të gonorresë në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 303% krahasuar me vitin 2015.

Numri i rasteve të sifilizit u dyfishua gjatë së njëjtës periudhë, duke arritur në 45,577 raste.

Ndërkohë, klamidia mbeti infeksioni seksualisht i transmetueshëm më i raportuar, me 213,443 raste, bëri të ditur ECDC.

Bruno Ciancio, shefi i Seksionit, Metodat Epidemiologjike të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Stokholm (ECDC), paralajmëroi se infeksionet e patrajtuara mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, përfshirë dhimbje kronike dhe infertilitet.

Në rastin e sifilizit, komplikacionet mund të prekin gjithashtu zemrën, enët e gjakut dhe sistemin nervor.

Ai tha se rritja e rasteve të sifilizit të transmetuar nga nëna tek fëmija është veçanërisht shqetësuese, pasi raportimet pothuajse u dyfishuan nga viti 2023 në 2024.

“Mbrojtja e shëndetit seksual mbetet e thjeshtë. Përdorni prezervativë me partnerë të rinj ose të shumtë dhe bëni teste nëse keni simptoma, si dhimbje, sekrecione apo plagë”, tha ai.

Sipas ECDC-së, burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra mbeten grupi më i prekur nga këto infeksione, veçanërisht nga gonorrea dhe sifilizi.

Sifilizi po bëhet gjithashtu më i përhapur mes personave heteroseksualë, sidomos grave në moshë riprodhuese.

Agjencia njoftoi se rastet e raportuara të sifilizit të transmetuar nga nëna tek fëmija u rritën nga 78 në vitin 2023 në 140 në vitin 2024 në 14 vendet që dorëzuan të dhëna.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër