INSTAT: Eksportet u rriten 10,6% në korrik, arritën 33,7 miliardë lekë

Nga D V
793 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 gusht, Zhurnal.mk – Eksportet shqiptare vijuan trendin pozitiv në korrik 2026, duke arritur vlerën e 33,7 miliardë lekëve, me një rritje prej 10,6% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Në raport me qershorin 2026, eksportet shënuan një ulje prej 5%. Ndërkohë, importet e mallrave arritën në 86,4 miliardë lekë, duke u rritur me 3,6% në krahasim me korrikun 2025 dhe me 3,5% kundrejt qershorit 2026.

INSTAT bën të ditur se, deficiti tregtar në korrik ishte 52,8 miliardë lekë, me një ulje prej 0,5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në raport me qershorin u rrit me 9,8%.

Referuar statistikave, rritja e eksporteve në korrik u mbështet kryesisht nga grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”, i cili kontribuoi me 8,9 pikë përqindjeje, i ndjekur nga “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 5,3 pikë përqindjeje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0,9 pikë përqindjeje.

Në kah të kundërt ndikuan “Tekstile dhe këpucë”, me rënie 4,3 pikë përqindjeje, dhe “Produkte kimike dhe plastike”, që zbritën me 0,6 pikë përqindjeje.

Edhe rritja e importeve u ndikua pozitivisht nga disa grupe. “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kontribuuan me 1,5 pikë përqindjeje, “Ushqime, pije, duhan” me 0,8 pikë përqindjeje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 0,3 pikë përqindjeje.

Ndërsa në uljen e rritjes së importeve ndikuan negativisht grupet “Lëkurë dhe artikujt prej tyre”, me 0,02 pikë përqindjeje, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, me 0,01 pikë përqindjeje.

Të dhënat e INSTAT tregojnë një ecuri pozitive të eksporteve në terma vjetorë, të mbështetur veçanërisht nga materialet e ndërtimit dhe metalet, si dhe nga grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër