Tiranë, 18 maj, Zhurnal.mk – Instituti i Policisë Shkencore mori pjesë për herë të parë si anëtar me të drejta të plota i organizatës europiane “European Network of Forensic Science Institutes” (ENFSI), në takimin e drejtorëve të rrjetit europian të instituteve të shkencave forenzike.
Gjatë këtij aktiviteti ndërkombëtar të zhvilluar në Zyrih të Zvicrës, drejtori i Institutit të Policisë Shkencore, Drejtues i Parë Perlat Çullaj, prezantoi rolin, zhvillimin institucional dhe standardet profesionale të institutit, duke vënë në fokus arritjet dhe angazhimin në forcimin e bashkëpunimit europian në fushën e kriminalistikës dhe shkencave forenzike.
Në përfundim të aktivitetit, Çullaj mori certifikatën zyrtare të anëtarësimit me të drejta të plota në ENFSI, një zhvillim që konsiderohet si një moment i rëndësishëm për përfaqësimin e ekspertizës shqiptare në arenën europiane të kriminalistikës.
Pjesëmarrja në këtë takim shërbeu gjithashtu për krijimin e kontakteve të reja dhe forcimin e bashkëpunimit me institutet homologe europiane, me synim shkëmbimin e eksperiencave, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e standardeve shkencore.
Si anëtar me të drejta të plota, Instituti i Policisë Shkencore ushtroi për herë të parë edhe të drejtën e votës në proceset vendimmarrëse të ENFSI-së, ku gjatë takimit u zgjodh Bordi Drejtues dhe u miratuan plani i veprimit dhe strategjia e organizatës për periudhën në vijim.
Anëtarësimi i Institutit të Policisë Shkencore në ENFSI vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e ekspertizës shkencore në funksion të zbatimit të ligjit dhe sigurisë publike.
