Investimi në Zvërnec, Balla: Mjedisi nuk preket, Shqipëria fiton 4 miliardë euro

Nga D. V.
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 qershor, Zhurnal.mk – Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, e ka cilësuar projektin në Zvërnec si një nga investimet më të mëdha strategjike për Shqipërinë.

Balla theksoi se ky projekt jo vetëm që respekton standardet mjedisore, por përfaqëson një hap të madh në modernizimin ekonomik të Shqipërisë dhe afrimin e saj me Bashkimin Europian.

“Lidhur me investimin në Zvërnec autoriteti përgjegjës shtetëror për mjedisin ka vendosur më 15 maj 2026, që projekti duhet t’i nënshtrohet jo thjesht një vlerësimi të zakonshëm të ndikimit në mjedis, po një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis. Është një projekt i cili i respekton të gjitha normat mjedisore për të gjithë ata që bërtasin, për flamingot, për pelikanët, apo për gjithçka tjetër. Nuk është aspak e vërtetë fakti që do na ikin flamingot nga gjiri i Zvërnecit. Por e vërtetë është që Shqipëria ka nevojë për 4 miliardë euro investim, një investim i cili është sot një standard që Shqipëria duhet t’i arrijë. Është një hap i madh që Shqipëria duhet ta hedhë”, tha Balla.

Ndër të tjera Balla nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të procesit të integrimit europian, duke theksuar se objektivi është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

“Në vitin 2029, kur të dalim para shqiptarëve për të ripërtërirë mandatin tonë me Edi Ramën, anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk do të jetë më një ëndërr, por do të jetë realizim i një ëndrre të madhe”, u shpreh Balla nga Kamza.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër