Teheran, 15 prill, zhurnal.mk – Irani ka deklaruar se komunikimet me Shtetet e Bashkuaratë po vazhdojnë përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, pas dështimit të bisedimeve të fundit për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, tha se që nga e diela, kur delegacioni iranian u kthye në Teheran, janë shkëmbyer disa mesazhe përmes Pakistanit. Ai shtoi se pritet që një delegacion pakistanez të mbërrijë për të vazhduar diskutimet e nisura në Islamabad.
Megjithatë, Irani theksoi se nuk do të hyjë në negociata që synojnë vetëm pranimin e kushteve amerikane.
Një raund i parë bisedimesh mes SHBA-së dhe Iranit u zhvillua fundjavën e kaluar në Pakistan, pas hyrjes në fuqi më 8 prill të një armëpushimi dyjavor në konfliktin e nisur më 28 shkurt nga një sulm izraelito-amerikan kundër Iranit.
Delegacioni amerikan u drejtua nga JD Vance, ndërsa pala iraniane nga kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf. Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje.
Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi Iranin se nuk ka rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe se refuzon të angazhohet për të mos zhvilluar armë bërthamore—një pretendim që Teherani e mohon.
Sipas raportimeve, SHBA-ja kërkonte një pezullim 20-vjeçar të pasurimit të uraniumit nga Irani, ndërsa ky i fundit ofroi një pezullim pesëvjeçar, propozim që u refuzua nga pala amerikane.
