Teheran, 25 shtator, Zhurnal.mk – Irani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara të Amerikës një plan për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Araghchi u tha gazetarëve në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se Irani ka propozuar një plan shtatëditor, raportuan mediat amerikane.
Sipas tij, Irani i ka përcjellë SHBA-së, përmes ndërmjetësve, një propozim që parashikon se, nëse plotësohen disa kushte, Ngushtica e Hormuzit do të rihapet në fund të ditës së shtatë dhe do të rifillojnë bisedimet mes dy vendeve.
Araghchi nuk tregoi se cilat janë kushtet, por tha se ato nuk janë më shumë se ato për të cilat Irani dhe SHBA-ja kishin rënë dakord në qershor.
Sipas “New York Times” dhe CNN, propozimi iranian iu dorëzua SHBA-së përmes një ndërmjetësi.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha CNN se të dyja palët po zhvillonin diskutime pozitive dhe konstruktive përmes ndërmjetësve.
Përfaqësues të SHBA-së dhe Iranit zhvilluan të martën bisedime në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Këto ishin negociatat e para të drejtpërdrejta mes tyre pas disa muajsh.
Sipas medieve shtetërore iraniane, Araghchi ka përcjellë kushtet e Teheranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Ndër to janë ndalimi i menjëhershëm i bllokadës detare amerikane pranë brigjeve iraniane, lirimi i pasurive iraniane të ngrira dhe përfundimi i luftës në të gjitha frontet.
Lufta duket gjithnjë e më shumë e bllokuar, pa një përparim të qartë nga asnjëra palë.
Ngushtica e Hormuzit është një kalim shumë i rëndësishëm detar mes Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit.
Nëpër të transportohen sasi të mëdha nafte dhe gazi natyror të lëngshëm, ndaj kontrolli i saj është një nga çështjet kryesore në konfliktin mes Uashingtonit dhe Teheranit.
