Iseni: Macura i bleu aksionet për hyrjen në Alta Bankë drejtpërdrejt nga kompania e krushkut të Ali Ahmetit

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 nëntor, Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e VLEN-it, Astri Iseni ka akuzuar ish-strukturat e BDI-së dhe rrethin familjar të kryetarit të saj, Ali Ahmeti, për një skemë të dyshuar financiare që, sipas tij, lidhet me hyrjen e “Alta Bankës” në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut.

Në një konferencë për media, ai tha se oligarku serb Davor Macura, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi, ka marrë kontrollin mbi ish-“Stopanska Bankën” e Manastirit, e cila më vonë u riemërua në “Alta Banka Maqedoni”, duke blerë aksionet nga kompania familjare e Selahudin Arifit, të cilin e cilësoi si krushk të Ali Ahmetit.

Sipas Iseni-it, në tetor të vitit 2024 kompania “AS Senjak” nga Kërçova, në pronësi të Selahudin Arifit, kishte hyrë në sektorin bankar duke blerë një paketë të konsiderueshme aksionesh në “Stopanska Bankën” e Manastirit.

“Davor Macura i blen aksionet për hyrje në Alta bankë drejtpërdrejt nga krushku i Ali Ahmetit”, deklaroi zëvendësministri, duke pretenduar se transaksionet e mëvonshme krijojnë një lidhje financiare mes kompanisë së Arifit dhe biznesit të Macurës.

Ai iu referua edhe një kredie prej 5 milionë eurosh, për të cilën tha se më 9 qershor 2025 një kompani e lidhur me rrethin familjar të Ahmetit e kishte marrë drejtpërdrejt nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd.

Sipas Iseni-it, disa muaj më vonë ka ndodhur edhe transaksioni i aksioneve.

“Vetëm tre muaj më vonë, më 17 shtator 2025, ndodh akti përfundimtar: kompania ‘AS Senjak’ e krushkut të Ahmetit zyrtarisht ia shet aksionet e saj në bankën e Manastirit pikërisht Davor Macurës dhe ‘Alta Bankës’ së tij, duke i mundësuar kështu marrjen e drejtpërdrejtë të bankës në Maqedoni”, tha Iseni në konferencë për shtyp.

Sipas tij, pretendohet se kronologjia e këtyre transaksioneve ngre dyshime që, sipas tyre, duhet të hetohen nga institucionet kompetente.

“Skema në relacionin Zajaz – Kërçovë – Beograd është e qartë si kristali”, deklaroi zëvendësministri, duke e lidhur kredinë e qershorit me shitjen e aksioneve në shtator.

Iseni ngriti disa pyetje lidhur me burimin e financimit dhe natyrën e transaksioneve. Mes tyre është pyetja nëse kredia prej 5 milionë eurosh e dhënë në qershor nga “Alta Banka” në Beograd kompanive të lidhura me rrethin familjar të Ahmetit mund të ketë shërbyer, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për financimin e hyrjes së Macurës në tregun maqedonas.

Po ashtu, zëvendësministri kërkoi sqarime nëse shitja e aksioneve më 17 shtator 2025 ka qenë e lidhur me kredinë e marrë në qershor dhe sa ka qenë, sipas tij, diferenca në çmim, fitimi neto apo komisionet e mundshme të realizuara nga rrethi familjar i biznesit të Ahmetit.

Iseni përmendi edhe ish-funksionarët e BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi. Iseni pretendon se ata kanë mbështetur politikisht hyrjen e “Alta Bankës” në sektorin financiar të Maqedonisë së Veriut.

“Derisa ata politikisht ia hapnin rrugën në institucionet shtetërore, krushku i Ali Ahmetit ia ruante dhe më pas ia rishiste aksionet Davor Macurës”, u tha nga VLEN.

Zëvendësministri Iseni kërkoi nga Prokuroria Publike dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare që të nisin hetim për transaksionet e përmendura.

“Prokuroria publike dhe Drejtoria e inteligjencës financiare nuk kanë më asnjë justifikim për të pritur. Kërkojmë hetim urgjent që do t’i vë në një linjë kredinë prej 5 milionë eurosh të 9 qershorit 2025 dhe shitjen e aksioneve të 17 shtatorit 2025”, deklaroi ai.

Në fund, Iseni tha se sistemi bankar i vendit nuk duhet të bëhet, siç u shprehën, “pre e oligarkëve rajonalë në paraburgim dhe e kartelit familjar të biznesit të Ali Ahmetit”, duke kërkuar që për transaksionet të ketë përgjegjësi financiare dhe penale nëse hetimet konstatojnë shkelje të ligjit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër