Prishtinë, 11 gusht, Zhurnal.mk – Edon Cana, ish kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Komunës së Rahovecit në zgjedhjet lokale të vitit 2025, ka fituar një tender nga Komuna e Prizrenit, që udhëhiqet nga Shaqir Totaj i PDK-së.
Cana ka fituar tenderin me titull “Shërbime konsulente individuale – Këshilltar për investime strategjike dhe koordinim të projekteve në drejtorin e Administratës”, në vlerë prej 98 mijë e 496 eurove, për 36 muaj, apo përafërsisht 2 mijë e 700 euro në muaj.
Në një përgjigje për Kallxo.com Cana e ka mohuar që partia e tij të ketë ndikuar që ai ta fitojë këtë tender, ndërsa ka thënë se ka plotësuar kriteret që ishin paraparë në dosjen e tenderit.
Ai ka thënë se roli i tij, sipas këtij tenderi, do të jetë që përmes Drejtorisë së Administratës do të angazhohet për këshllimin për sigurimin e fondeve për financimin e projekteve strategjike.
“Thirrja ka qenë publike, ju mundeni me pa aty, edhe tregon se cilat janë ato kriteret, edhe detyrat, edhe përgjegjësitë që duhet me i ofru. Unë kam qenë kryeshef i Agjencionit për Koordinim të Zhvillimit dhe të Intergrimit evropian. Në vitin 2008 kur është mbajtë konferenca e donatorëve, unë kam koordinuar 1.2 miliardë euro në emër të Qeverisë, edhe me projekte të prekshme dhe të matshme. Aty çka ka pasur kritere publike unë jam marr me ato dhe jam përzgjedhë”– ka thënë Cana përmes telefonit.
Kur është pyetur se si është përcaktuar shuma prej 98 mijë eurosh, Cana ka thënë se kjo ka qenë e parashikuar nga Komuna e Prizrenit në dosje të tenderit, si dhe oferta sipas tij prej 98 mijë euro, është caktuar pas kalkulimit që ai i ka bërë punëve që do t’i kryejë.
“Thirrja ka qenë për 100 mijë. Thirrja nga Komuna, edhe bazuar në kalkulimin e TVSH-së, se TVSH-ja duhet me u pagu e ato gjanat, edhe kalkulimi dmth timin se për çka mundem me punu unë, e kam ofru deri në atë. Dmth thirrja nga Komuna ka qenë 100 mijë, unë nuk e kam përcaktu”– ka thënë Cana.
“Absolut asnjë lidhje (me partinë). Absolut asnjë lidhje. Shiko në CV-në, prapë po them kam qenë kryeshef i Agjencionit, kam qenë përfaqësues i Kosovës në kornizën investuese të Ballkanit Perëndimor, kam punu me BERZH-in. Kam qenë koordinator i IPA-s, para anëtarësimit domethënë i fondeve të BE-së për Kosovën. Kam qenë përfaqësues i Kosovës në RCC, kam qenë anëtar i bordit të Bankës Zhvillimore për pesë vite në Paris. Unë jam marrë me këto punë. Po dua me thënë që kjo nuk është… a din kam parë disa tendenca me e politizu këtë, por nuk ka”.
Në anën tjetër, kriteret teknike që kanë qenë të vendosura nga Komuna e Prizrenit, kanë qenë që kandidati duhej të kishte të paktën diplomë master në ekonomi, administrim biznesi, administratë pubike, shkenca politike, shkenca sociale, menaxhim informacione apo të ngjashme; Përvojë në administratë publike; Përvojë në projekte ndërkombëtare; si dhe Përvoja në angazhime në institucione publike si Komunë, Ministri apo Agjenci.
Sipas dosjes së tenderit, qëllimi i këtij tenderi është ofrimi i mbështetjes profesionale për Komunën e Prizrenit në sigurimin, koordinimin dhe menaxhimin e fondeve të jashtme, përfshirë fondet e Bashkimit Evropioan dhe financimet nga institucionet financiare dhe zhvillimore ndërkombëtare.
“Ky angazhim synon të rrisë kapacitetet institucionale të Komunës për identifikimin, aplikimin dhe implementimin e projekteve zhvillomore, si dhe të forcojë bashkëpunimin me donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë, në përputhje me prioritetet strategjike të zhvillimit komunal”– thuhet ndër të tjera në dosje të tenderit.
Vendimi që Edon Cana të jetë fitues i këtij tenderi është marrë më datë 30.07.2026, ndërsa në këtë tender kishte aplikuar vetëm ai.
Në ndërkohë, drejtori i Administratës përmes së cilës është shpallur tenderi, Bexhat Bytyqi, e ka mohuar që ka ndonjë raport me Canën, ndërsa nuk ka dhënë detaje se ka qenë e nevojshme për Komunën konsulenca e tij.
“Përpos projekteve të cekura në planifikim të prokurimit për vitin 2026-2028 është i planifikuar edhe ky projekt. Këto procedura i takojnë Zyrës së Prokurimit dhe ne si drejtori nuk kemi informata deri në përfundim të procesit. Nuk e njoh z. Canën dhe nuk kam fare raporte me të”– ka thënë Bytyqi.
Se a ka pasur ndonjë ndikim partia apo vetë ai, e ka mohuar edhe kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj.
“Natyrisht që jo”– ka thënë shkurtimisht Totaj kur është pyetur nëse ka pasur ndonjë lloj ndikimi.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, Edon Cana si kandidat i PDK-së për kryetar të Rahovecit ishte renditur i katërti me 15.31% të votave, pas Smajl Latifit të Aleancës, Ali Dulës së Vetëvendosjes dhe Burim Krasniqit të LDK-së.

