ISHP: 829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, 19 meshkuj të prekur

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 02 tetor, Zhurnal.mk – Instituti i Shëndetit Publik informon se 829 raste të reja me kancer gjiri janë regjistruar te gratë në Shqipëri gjatë vitit të kaluar.

Specialistja e ISHP-së, Ediona Kola, në një prononcim për mediet tha se incidenca e kancerit të gjirit vijon të shënojë një rritje të lehtë nga viti në vit, tendencë që, sipas saj, është e pranishme edhe në vende të tjera.

“Për vitin 2025 janë përllogaritur 829 raste të reja te femrat. Rritja e rasteve lidhet me disa faktorë, mes tyre plakja e popullsisë, ndryshimet në stilin e jetesës, por edhe rritja e ndërgjegjësimit dhe përmirësimi i programeve të depistimit dhe diagnostikimit”, tha Kola.

Të dhënat e ISHP-së tregojnë një prirje në rënie të vdekshmërisë. Nga 18 vdekje për 100 mijë gra në vitin 2021, niveli ka zbritur në 16 vdekje për 100 mijë gra. Për vitin e kaluar janë regjistruar rreth 214 vdekje nga kanceri i gjirit.

“Duhet të pranojmë që të gjitha gratë mund të preken nga kanceri i gjirit. Fatkeqësisht, asnjëra nga ne nuk është imune. Rreziku ekziston, por rreziku është më i ulët në këto grupmosha”, u shpreh Kola.

Sipas ISHP-së, gjatë vitit të kaluar janë përllogaritur edhe 19 raste të kancerit të gjirit te meshkujt.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Durrësi, Vlora, Korça dhe Fieri rezultojnë me incidencën më të lartë, ndërsa Dibra me incidencën më të ulët.

Kola thekson se shërbimi i depistimit ofrohet gjatë gjithë vitit në spitalet rajonale dhe në tri qendra në Tiranë. Në dispozicion të grave janë edhe dy mamografi lëvizëse, të cilat gjatë tetorit intensifikojnë lëvizjet në qarqe për ta afruar shërbimin me qytetarët.

“Do të doja t’u bëja thirrje të gjitha grave që, jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit, t’i kryejnë këto ekzaminime, të drejtohen te mjeku i familjes dhe të flasin për faktorët e riskut”, tha Kola.

ISHP u bën thirrje grave të kontaktojnë mjekun e familjes për t’u informuar mbi qendrën më të afërt ku mund të kryejnë mamografinë dhe datat e lëvizjes së mamografive në zonën e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër