Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Kuvendi sot, në seancën e 112‑të, me propozim të kryeministrit Hristijan Mickoski, në kuadër të rekonstruksionit të Qeverisë, i shkarkoi ministrin e drejtësisë Igor Filkov, ministrin e bujqësisë, pylltarisë dhe ujitjes Cvetan Tripunovski, ministrin për marrëdhënie ndërmjet bashkësive Igor Stoiljkoviq, ministrin e shëndetësisë Azir Aliu, ministrin e politikës sociale, demografisë dhe rinisë Fatmir Limani, ministrin e vetëqeverisjes lokale Zlatko Perinski, si dhe Shaban Salie nga funksioni ministër pa portofol.
U shkarkuan edhe zëvendësministrat për politikë sociale, demografi dhe rini, Gjoko Velkovski, si dhe zëvendësministri për kulturë dhe turizëm, Sedat Sulejmani.
“Që nga dita e parë kur morëm përgjegjësinë, thashë se kjo Qeveri nuk do të jetë Qeveri komoditeti, por Qeveri e rezultateve. Nuk do të jetë Qeveri në të cilën funksionet do të konsiderohen si të drejtë e fituar, por si detyrim që duhet merituar çdo ditë. Kjo nuk ishte slogan politik, ishte parim. Sot tregojmë se ky parim vlen njësoj për të gjithë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke arsyetuar propozimin për shkarkimin e anëtarëve të Qeverisë.
Ai theksoi se funksioni nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë qëllim në vetvete, por mjet për t’i shërbyer popullit.
Sot, nënvizoi ai, nuk po ndahemi nga njerëz që nuk kanë punuar, por, përkundrazi, nga njerëz që në resorë të ndryshëm kanë dhënë kontributin e tyre për realizimin e programit për të cilën qytetarët dhanë besimin.
Sipas tij, rekonstruksioni i Qeverisë nuk duhet parë si fund i punës së dikujt.
