Jeta u shtrenjtua, paratë u tkurrën: Goditja në xhepin e kosovarëve

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Një shumë prej 500 eurosh që një familje kosovare kishte në shkurt të vitit 2025, sot do t’i duhej të kishte rreth 544 euro për të blerë të njëjtat mallra dhe shërbime.

Kjo është një nga mënyrat më të drejtpërdrejta për të parë se sa është shtrenjtuar jeta në Kosovë gjatë një periudhe prej rreth 17 muajsh, nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 deri në korrik 2026.

Sipas analizës së të dhënave mujore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe serisë së krahasueshme të Eurostatit, inflacioni kumulativ gjatë kësaj periudhe arriti në rreth 8,75 për qind.

Në praktikë, kjo do të thotë se paratë që kosovarët kishin në xhep humbën një pjesë të fuqisë së tyre blerëse. Një pagë apo buxhet familjar që mbeti i njëjtë, nuk mund të blejë më aq sa blinte në fillim të kësaj periudhe.

Dhe goditja nuk është ndjerë njësoj në çdo familje.

Ushqimi u shtrenjtua, por fatura e jetesës u rrit edhe më shumë

Në muajt e parë pas zgjedhjeve, rritja e çmimeve ishte më e përmbajtur. Në shkurt 2025, inflacioni vjetor ishte 1,7 për qind. Por gjatë muajve në vijim presioni mbi çmimet u shtua.

Në qershor ai arriti në 4,3 për qind, në tetor në 5,1 për qind, ndërsa në dhjetor në 5,3 për qind. Mesatarja e inflacionit për vitin 2025 ishte 3,9 për qind.

Në vitin 2026, shtrenjtimi mori ritëm edhe më të madh. Në prill, inflacioni vjetor arriti në 7,5 për qind, niveli më i lartë i periudhës së analizuar.

Edhe pse në maj dhe qershor çmimet shënuan ulje të lehta, kjo nuk e ktheu mbrapsht shtrenjtimin e muajve të kaluar. Në korrik, çmimet u rritën sërish me 0,6 për qind krahasuar me qershorin, ndërsa inflacioni vjetor ishte 6,5 për qind.

Mishi, ngrohja, uji dhe transporti – goditjet që ndihen çdo ditë

Në shportën e përditshme të familjeve, ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan në total rreth 6,35 për qind nga shkurti 2025 deri në korrik 2026.

Por disa produkte patën rritje shumë më të fortë.

Mishi u shtrenjtua rreth 17,37 për qind gjatë gjithë periudhës së analizuar. Në korrik 2026, vetëm krahasuar me një vit më parë, çmimi i mishit ishte 9,1 për qind më i lartë.

Në anën tjetër, jo çdo produkt ushqimor u shtrenjtua. Qumështi, produktet e qumështit dhe vezët ishin rreth 1,09 për qind më lirë se në shkurt 2025, ndërsa perimet rreth 7,15 për qind më të lira.

Por për shumë familje, goditja më e madhe nuk erdhi vetëm nga marketi.

Strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse u bënë një barrë gjithnjë e më e madhe për buxhetet familjare. Në prill 2026, ky grup shënoi rritje vjetore prej 15,2 për qind, ndërsa në korrik ende ishte 11,1 për qind më i shtrenjtë se një vit më parë.

Për ngrohje, goditja ishte edhe më e fortë. Drutë, peleti dhe lëndët e tjera të ngurta për ngrohje u shtrenjtuan 18,1 për qind në korrik 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak.

Ndërkohë, shërbimet e lidhura me banesën, përfshirë furnizimin me ujë, u shtrenjtuan rreth 33,54 për qind krahasuar me shkurtin e vitit 2025.

Edhe makina po kushton më shumë

Një tjetër goditje e drejtpërdrejtë për xhepin ishte transporti.

Në korrik 2026, çmimet në këtë kategori ishin 17,8 për qind më të larta se një vit më parë.

Në mars, karburantet dhe lubrifikantët për transportin personal u rritën me 25,8 për qind vetëm brenda një muaji.

Pra, për një familje që udhëton çdo ditë për punë, shkollë apo shërbime, rritja e çmimeve nuk përfundon te fatura e marketit. Ajo vazhdon te ngrohja, uji, energjia dhe karburanti.

Dhe dimri mund ta rëndojë edhe më shumë faturën

Presioni mbi buxhetet familjare nuk pritet të zhduket shpejt.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi në prill inflacion mesatar prej 5,9 për qind për Kosovën në vitin 2026, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës mbajti parashikimin e saj për 6,7 për qind dhe paralajmëroi se rreziqet anonin drejt një inflacioni edhe më të lartë.

Kjo vjen në një kohë kur BQK-ja ka evidentuar edhe tkurrje të konsumit privat në tremujorin e parë të vitit 2026. /Nacionale

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër