Tiranë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi sot një seancë dëgjimore me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Enkelejd Joti, në kuadër të kontrollit parlamentar postlegjislativ për zbatimin e ligjeve dhe miratimin e akteve nënligjore gjatë periudhës 2021-2025.
Zv.ministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti, deklaroi se Ministria e Mbrojtjes e konsideron hartimin, konsultimin, koordinimin dhe miratimin e akteve nënligjore një komponent të rëndësishëm të procesit rregullator.
Sipas tij, këto akte përcaktojnë detajet teknike dhe operacionale, standardet dhe procedurat e nevojshme për zbatimin e plotë dhe efektiv të legjislacionit në fuqi.
Joti bëri të ditur se gjatë periudhës 2021-2025, në fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Mbrojtjes, janë miratuar 18 akte ligjore.
“Kjo paketë e konsoliduar aktesh ligjore dhe nënligjore përbën një reformë gjithëpërfshirëse që modernizon dhe rregullon sektorë kritikë të sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Zv.ministri theksoi se aktet që lidhen me statusin, karrierën dhe disiplinën ushtarake kanë riformësuar ecurinë profesionale, trajtimin financiar dhe mbrojtjen sociale të personelit të Forcave të Armatosura.
Sipas tij, këto ndryshime synojnë garantimin e procedurave të rregullta ligjore në proceset disiplinore, transparencën në gradim dhe motivimin e vazhdueshëm në rekrutimin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor të Forcave të Armatosura.
Sa i përket akteve që lidhen me organizimin, misionet dhe dokumentet strategjike të Forcave të Armatosura, Joti tha se ato konsolidojnë piramidën e re të komandimit dhe rrisin gatishmërinë operacionale.
Ai përmendi në këtë drejtim kuadrin e ri të Strategjisë Ushtarake 2024 dhe Planin Afatgjatë të Zhvillimit 2024-2033, të cilat, sipas tij, përmirësojnë procedurat për dërgimin e trupave në misione jashtë vendit dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja ushtarake.
Në këto kapacitete përfshihen edhe mbrojtja kibernetike dhe përdorimi i dronëve ushtarakë.
Duke folur për aktet që lidhen me industrinë e re të mbrojtjes dhe prodhimin ushtarak, Joti deklaroi se ato krijojnë për herë të parë një sektor modern ushtarak në këtë fushë.
Sipas tij, kjo arrihet përmes ngritjes së Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes dhe shoqërisë aksionare shtetërore, si dhe përmes përcaktimit të lehtësive të nevojshme fiskale.
Ai nënvizoi se kuadri i ri parashikon gjithashtu certifikimin sipas standardeve të NATO-s, gjurmueshmërinë unike të armatimit dhe rijetëzimin e rezervave strategjike të Forcave të Armatosura.
