“Jurisprudenca” nxjerrë në pah mungesën e harmonisë qeveritare!

nga I.A

Shkup, 10 shkurt – Debati për gjuhën në të cilën duhet të jepet provimi i jurisprudencës është shndërruar shumë shpejt nga një çështje juridike në një arenë përplasjesh politike brenda vetë Qeverisë. Ajo që duhej të ishte diskutim institucional për interpretimin e ligjit dhe përmirësimin e tij, sot po lexohet si dëshmi e mungesës së harmonisë dhe koordinimit mes partnerëve qeveritarë, shkruan Zhurnal.

Përlasje qeveritare për një të drejtë të garantuar me Kushtetutë – 

Në njërën anë qëndron kërkesa e studentëve shqiptarë që provimin ta japin në gjuhën amtare, duke u thirrur në frymën kushtetuese dhe në dispozitat që burojnë nga përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Kjo kërkesë u mbsëhtet masivisht brenda dhe jashtë vendit, edhe nga zëvendëskryeministri Bekim Sali, i cili foli për një “defekt ligjor” që duhet të korrigjohet dhe kërkoi nga Ministria e Drejtësisë të mundësojë ushtrimin e asaj që ai e konsideron të drejtë kushtetuese.

Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, u përgjigj me një qëndrim të prerë se Kushtetuta dhe ligjet nuk mund të interpretohen sipas nevojave politike të momentit. Sipas tij, natyra e sistemit gjyqësor ku procedurat, vendimet dhe aktet zyrtare zhvillohen kryesisht në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik e bën njohjen aktive të kësaj gjuhe një parakusht funksional për ushtrimin e profesionit. Ligji për përdorimin e gjuhëve, sipas Filkovit, nuk mund të mbivendoset mbi ligjet që rregullojnë funksionimin e gjyqësorit.

Por përplasja nuk mbeti vetëm në nivel argumentesh juridike. Ajo rrëshqiti në etiketime personale dhe mesazhe publike me tone përçmuese, duke e zhvendosur vëmendjen nga substanca tek spektakli i rrjeteve sociale. Në vend të një dialogu të mbyllur institucional që do të prodhonte zgjidhje, qytetarët panë një duel deklaratash përmes mediave. Dhe pikërisht këtu lind pyetja thelbësore nëse brenda ekzekutivit nuk ka unitet për interpretimin e të njëjtës kornizë kushtetuese, si pritet që qytetarët të kenë besim në koherencën e politikave shtetërore.

Kjo situatë ekspozon një problem më të thellë ku qeveritë si koalicione janë të natyrshme në një shoqëri pluraliste, por funksionojnë vetëm kur ekziston një mekanizëm i brendshëm për harmonizim qëndrimesh para se ato të dalin në publik. Përndryshe, çdo temë e ndjeshme sidomos ato që prekin identitetin dhe gjuhën rrezikon të shndërrohet në kapital politik ditor.

Nga ana tjetër, edhe dilema juridike nuk është e vogël. Nëse vërtet ekziston paqartësi ligjore, atëherë përgjigjja duhet të jetë ndryshimi apo saktësimi i ligjit përmes procedurave parlamentare, jo interpretimi ad hoc nga pozicione politike. Nëse nuk ka paqartësi, atëherë institucionet duhet të flasin me një zë.

Kujtojmë që, kjo ngjarje nuk është vetëm për një provim por është për mënyrën se si qeveriset vendi, për kulturën e dialogut mes partnerëve dhe për kufirin mes së drejtës dhe politikës. Sa herë që këto dy fusha përzihen pa rregulla të qarta, rezultati është konfuzion dhe mungesë të rezultateve në terren. 

Studentët meritojnë t’i nënshtrohen provimit apo vlerësimit në gjuhën që kanë mbaruar studimet derisa politikanët të qerojnë hesapet mes vete. E jo të shfrytëzojnë një kërkesë bazike për larje llogarish që kanë mes vete. Ndikimi këtu shfaqet, nëse partnerët shqiptarë kanë ndikim në këtë përbërje qeveritare do ta dëshmojnë tani përmes realizimit të kësaj kërkese elementare. Në vend që jurisprudenca të prodhojë juristë të rinj, debati aktual po prodhon një diagnozë të vjetër harmoninë e brishtë të qeverisjes. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More