Shefi i Inteligjencës së Türkiyes, Ibrahim Kalın, ka deklaruar se nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme pa trajtimin e çështjes palestineze dhe përfundimin e okupimit izraelit.
Duke folur në ceremoninë zyrtare të hapjes së Forumit TRT World 2026, të mbajtur të premten në Qendrën e Kongreseve në Stamboll, Kalın tha:
“Nuk ka Palestinë pa Gazën dhe nuk ka paqe në Lindjen e Mesme pa paqe lidhur me çështjen palestineze.”
“Palestinezët nuk janë problemi; problemi është okupimi”, shtoi ai, duke theksuar se „pa përfundimin e okupimit, nuk do të ketë zgjidhje, paqe apo drejtësi në Lindjen e Mesme”.
Kalın tha se Gaza është pjesë e pandashme e Palestinës dhe se lufta palestineze shkon përtej çështjeve territoriale, duke përfshirë parimet më të gjera të drejtësisë dhe barazisë.
“Gaza është pjesë e Palestinës, ndërsa Palestina është pjesë e një lufte për drejtësi, dinjitet dhe barazi për të gjithë”, deklaroi ai.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për një copë tokë, por edhe për vlera universale dhe parime morale”, theksoi Kalın.
Më herët, duke folur në të njëjtin forum, presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se zhvillimet e fundit rajonale tregojnë se sistemi aktual ndërkombëtar „ka ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit”.
Erdoğan akuzoi institucionet ndërkombëtare se po qëndrojnë mënjanë, ndërkohë që dhuna izraelite vazhdon në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar.
