Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka ndërmarrë një seri bisedimesh diplomatike të nivelit të lartë me qëllim uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Fokusi i saj kryesor ka qenë ndalimi i sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe nevoja emergjente për të rihapur lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas burimeve zyrtare nga Brukseli, kryediplomatja evropiane zhvilloi sot takime dhe bisedime të ndara me ministrat e jashtëm të Turqisë, Katarit dhe Koresë së Jugut.
Një zhvillim tejet i rëndësishëm në këtë agjendë ishte edhe komunikimi i saj i drejtpërdrejtë me Ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, çka dëshmon përpjekjen e BE-së për të mbajtur hapur të gjitha kanalet me palët e përfshira në konflikt.
Kërcënimi ndaj civilëve dhe energjisë
Këto lëvizje intensive vijnë në një moment kritik, ku rreziku i goditjes së aseteve jetike ka vënë në alarm diplomacinë globale.
“Këto bisedime janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të BE-së për të eksploruar rrugët diplomatike për të ecur përpara. Kërcënimet e reja të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike civile rrezikojnë të prekin miliona njerëz në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë,” shpjeguan burimet evropiane pranë zyrës së Kallas.
Bashkimi Evropian po tenton të koordinojë një përgjigje të përbashkët me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për të parandaluar një skenar katastrofik për furnizimin me energji dhe stabilitetin e rajonit.
