Tiranë, 26 tetor, Zhurnal.mk – Një grup intelektualësh dhe akademikësh, kanë dalë para Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të studentëve që protestojnë, duke dënuar dhunën e ushtruar nga policia dhe duke kërkuar hetim të plotë për ngjarjet.
“Ne siç e shikoni, jemi një grup intelektualësh që përfaqëson botën akademike, shoqërinë civile, por edhe studentë e qytetarë të angazhuar në përgjithësi. Nuk mund të rrinim në heshtje. Ne jemi këtu për të dhënë disa mesazhe. Nuk pajtohemi në mënyrë absolute me dhunën e ushtruar nga policia kundrejt studentëve, të cilët kanë të gjithë të drejtën e tyre për të protestuar dhe për të ngritur zërin. Në këtë pikë, ne nuk e kemi ndalur aksionin tonë te fjalët. Jemi këtu për të dhënë një mesazh të fortë, studentëve sidomos, për të dhënë solidaritet ë studentët të vazhdojnë të ngrejnë zërin, sepse nuk janë të vetëm. Një grup juristësh, pjesë e jona, kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për të ngritur një hetim tërësor ndaj të gjithë atyre individëve që kanë ushtruar një dhunë të koordinuar ndaj studentëve. Është shumë e qartë që dhuna ushtrohet për të imponuar heshtjen.
Kallëzimi është depozituar ditën e premte të javës së shkuar dhe jemi ende herët për të marrë një përgjigje. Por i bëj thirrje prokurorisë ta përshpejtojë hetimin”, tha ndër të tjera Olsi Nika.
