Sofje, 25 shtator Zhurnal.mk – Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka zhvilluar Takimin e Dytë të Komisionit të Përbashkët në kuadër të Marrëveshjes për tunelin hekurudhor ndërkufitar me Bullgarinë.
Takimi u zhvillua së bashku me zëvendësministren e Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Bullgarisë, Cveta Timeva, në cilësinë e bashkëkryetareve të komisionit.
Në fokus të takimit ishte shqyrtimi i progresit të deritanishëm, harmonizimi i hapave të ardhshëm dhe përshpejtimi i procedurave për realizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar, i cili përbën një nga segmentet kyçe të Korridorit VIII hekurudhor.
Sipas Zekolli Shaqirit, gjatë takimit u konfirmua mbështetja e Bashkimit Evropian dhe e institucioneve financiare për financimin e këtij projekti strategjik, si dhe gatishmëria e të dyja vendeve për bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të vazhdueshëm.
Zëvendësministrja theksoi se realizimi i tunelit përfaqëson më shumë se një projekt infrastrukturor, pasi synon të kontribuojë në përmirësimin e lidhjeve rajonale, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e ndërlidhjes së Maqedonisë së Veriut me Evropën.
“Vazhdojmë të punojmë së bashku për projekte konkrete që e afrojnë Maqedoninë e Veriut edhe më shumë me Evropën dhe krijojnë mundësi të reja për qytetarët dhe ekonominë tonë”, thuhet në postimin e Zekolli Shaqirit.
