Preshevë, 26 maj Zhurnal.mk – Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka pritur sot në takim kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, duke thënë se kjo vizitë e tyre paraqet një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për vetë perspektivën demokratike të rajonit.
“Ai po mbahet, në një kohë kur shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jetojnë nën politika diskriminuese dhe përjashtuese nga regjimi në Beograd. Për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare”, ka shkruar Kamberi.
Ai tha se derisa Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës.“Ky dualizëm politik e moral nuk mund të vazhdojë pafundësisht”, tha ai.
