Mobingu në punë, Ristova: Shumë punonjës kërkojnë mbrojtje

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 nëntor Zhurnal.mk – Rritet ndërgjegjësimi për mobingun në vendin e punës, ndërsa gjithnjë e më shumë punonjës po kërkojnë këshilla juridike dhe mbrojtje për të drejtat e tyre. Kështu vlerëson avokatja Maja Ristova, sipas së cilës deri më tani gjashtë raste të mobingut kanë përfunduar me aktgjykime të formës së prerë, katër prej tyre në sektorin publik dhe dy në atë privat.

“Po, njerëzit kanë frikë, por frika e punonjësve nuk është më ajo që ishte dikur. Sot, njerëzit i ndërrojnë më shpesh vendet e punës. Ka ndryshuar mentaliteti i punonjësve. Nuk është më ajo kohë kur njerëzit duronin, heshtnin dhe qëndronin gjithë jetën në të njëjtin vend pune. Kjo është pozitive, sepse ata i mbrojnë të drejtat e tyre, kërkojnë ndihmë, denoncojnë dhe ndërmarrin masa për mbrojtje”, deklaroi avokatja Maja Ristova.

Sipas saj, më të shpeshta janë dy format e mobingut, horizontal dhe vertikal, ku ky i fundit paraqitet më së shumti, për shkak të pozitës dhe fuqisë që ka eprori ndaj punonjësit.

Ajo thekson se mobingu mund të shfaqet në forma të ndryshme: nga ngarkimi i vazhdueshëm me detyra dhe afate të shkurtra, deri te mosdhënia e detyrave, vlerësimet joreale, transferimet e shpeshta apo caktimi i punëve që nuk përputhen me pozitën e punonjësit.

“Më i shpeshtë është mobingu që ndodh në raportin vertikal, kur eprori, nga pozita e tij e pushtetit dhe autoritetit, e shqetëson punonjësin që ndodhet në një pozitë më të ulët. Kjo është e kuptueshme, sepse eprori ka kompetenca më të mëdha, më shumë pushtet dhe vetë pozita e punës ia mundëson që të ushtrojë presion ndaj personit që është nën të. Ku duhet të paraqesin denoncim personat që përballen me mobing? Nëse janë anëtarë të sindikatave, mund të kërkojnë ndihmë nga sindikatat dhe, eventualisht, të konsultohen me profesionistë që merren me këtë problematikë”, theksoi Ristova.

Megjithatë, Ristova thekson se jo çdo stres apo ngarkesë në punë përbën mobing. Avokatja u bën thirrje punonjësve që të kërkojnë këshilla profesionale që në fillim, përpara se të ndërmarrin hapa juridikë, pasi interpretimi i gabuar i ligjit dhe veprimet e gabuara mund ta vështirësojnë procedurën e mëvonshme të mbrojtjes.

artikuj të ndërlidhura